Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, i ka reaguar Raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, pasi kjo e fundit ka thënë se është e vërtetë që Lëvizja Vetëvendosje ka një ushtri digjitale e cila kufizon lirinë e shprehjes në Kosovë.
Këtë Von Cramon e ka thënë teksa ka shpërndarë një shkrim të “Balkan Insight”, ku ish-zyrtarë të VV-së kanë konfirmuar ekzistencën brenda të VV-së të “ushtrisë digjitale”.
Manxhuka ka thënë se i vjen keq që edhe një herë i duhet të dementojë “deklarimet false” të ish-zyrtarëve të VV-së.
Manxhuka ka bërë thirrje që edhe të tjerët të përmbahen nga përhapja e “lajmeve të rreme”, duke shtuar se VV-ja beson në lirinë e fjalës për të gjithë qytetarëve.
“Na vjen keq që edhe një herë duhet të mohojmë pretendime të tilla të rreme, të parashtruara nga ish-anëtarë të partisë sonë edhe sot e kësaj dite. U bëjmë thirrje të tjerëve që të përmbahen nga përhapja e lajmeve të tilla të rreme. Lëvizja jonë beson në lirinë e fjalës për të gjithë qytetarët dhe i përmbahet standardeve të saj më të larta”, ka shkruar Manxhuka.