Një burrë 80-vjeçar i cili ka qenë në arrati për 27 vjet, është arrestuar në aeroportin Heathrow të mbretërisë së Bashkuar, tha policia e atjeshme.
Richard Burrows u arrestua pasi u kthye në Mbretërinë e Bashkuar nga Tajlanda, tha zëdhënësi i policisë.
Ai është lënë në paraburgim dhe do të paraqitet në Gjykatën Chester Crown të martën.
Forcat e rendit atje theksuan se ai ishte në kërkim që nga dhjetori 1997 kur nuk mori pjesë në Gjykatën e Chester Crown për t’u përballur me gjyqin për dy akuza për një vepër të rëndë seksuale dhe 11 akuza për sulm të pahijshëm.
Akuzat lidhen me abuzimin seksual të fëmijëve, i cili dyshohet se ka ndodhur midis viteve 1969 dhe 1971, raportohet se ka ndodhur në një shtëpi fëmijësh në Congleton, Cheshire dhe në West Midlands.
Inspektorja Eleanor Atkinson nga Policia e Cheshire, tha: “Vendosmëria jonë për të gjetur Burrowsin nuk është lëkundur gjatë 27 vjetëve të fundit dhe arrestimi i tij shënon një hap të rëndësishëm përpara në këtë rast dhe fillimin e mbylljes për të gjithë ata që janë përfshirë”.
“Unë gjithashtu shpresoj që arrestimi i tij të veprojë si një paralajmërim për çdo të dyshuar tjetër të kërkuar – duke demonstruar se pa marrë parasysh sa kohë fshiheni, ne do t’ju gjejmë dhe ju do të arrestoheni”.
Përpjekjet për të gjetur Burrowsin që nga zhdukja e tij përfshinin një apel të Crimewatchit më 1998.
Duncan Burrage, oficer ndërlidhës ndërkombëtar i Agjencisë Kombëtare të Krimit në Tajlandë, tha: “Duke shfrytëzuar rrjetin tonë ndërkombëtar dhe duke punuar ngushtë me kolegët e policisë Cheshire, ne kemi qenë në gjendje të gjurmojmë një të arratisur të kërkuar në lidhje me akuza jashtëzakonisht të rënda”.