PDK: Skandaloze, Komuna e Gjilanit pagoi faturë 25 mijë euro për dreka zyrtare e akomodim

PDK: Skandaloze, Komuna e Gjilanit pagoi faturë 25 mijë euro për dreka zyrtare e akomodim

Përmes një postimi në Facebook, Partia Demokratike e Kosovës, dega në Gjilan, ka publikuar një dokument ku tregon se Komuna e Gjilanit në krye me kryetarin Alban Hyseni, kanë paguar afër 25 mijë euro dreka zyrtare e akomodim vetëm në një faturë, shkruan Gazeta Enigma.

“Ky veprim i jashtëligjshëm është bërë pa buxhet të planifikuar, pa procedurë të prokurimit dhe pa vendim të Kuvendit Komunal për ta financuar një faturë të tillë”, kanë shkruar ata në Facebook.

Komunikata e plotë:

Skandal i paparë deri më tani në Kosovë, kryetari i Gjilanit paguan 25 mijë euro vetëm për një faturë për dreka zyrtare dhe akomodim

Qeverisja e VV-së në Gjilan është zhytur në kaos e keqpërdorime financiare. Vetëm për një faturë hoteli, kryetari i Gjilanit ka lejuar dhe paguar shpenzimin e buxhetit në vlerë prej 24,725.40 euro për akomodim dhe dreka zyrtare.

Ky veprim i jashtëligjshëm është bërë pa buxhet të planifikuar, pa procedurë të prokurimit dhe pa vendim të Kuvendit Komunal për ta financuar një faturë të tillë.

Financimin e Teatrit të Gjilanit e bënë qeveria e Republikës së Kosovës sipas buxhetit të planifikuar. Komuna nuk ka pas obligim të paguaj këtë faturë, por edhe nëse ka qenë e domosdoshme atëherë është dashur që kryetari i Gjilanit t’i adresohet Kuvendit Komunal për të lejuar buxhet shtesë për subvencionimin për mallra dhe shërbime për Teatrin e Gjilanit.

Gjatë vitit 2023, komuna e Gjilanit ka paguar gjithësejt 53 mijë euro për 167 fatura të restauranteve. Po ashtu ka paguar vetëm për akomodime hotelesh 32 mijë euro. Duke përfshirë edhe shpenzimet e udhëtimit jashtëvendit kryetari i Gjilanit ka shpenzuar mbi 110 mijë euro.

Shfrenimi ka arritë kulmin e qeverisjes së VV-së, shpenzohet pa kontroll, pa procedura, pa vendime dhe pa mend. PDK do të marr hapa ligjor për këtë rast dhe rastet tjera që kanë të bëjnë me shkelje të rënda ligjore për keqpërdorime financiare.

Related Articles