Shtatë kandidatët për president të Maqedonisë së veriut – Stevo Pendarovski, Gordana Siljanovska Davkova, Stevçe Jakimovski, Bujar Osmani, Biljana Vankovska, Arben Taravari dhe Maksim Dimitrievski sot e nisën fushatën presidenciale. Raundi i parë është caktuar të mbahet më 24 prill, të mërkurën, dhe të drejtë vote do të kenë 1.814.317 votues.
Fushata do të jetë nën vëzhgimin e anëtarëve kundër korrupsionit. Nga Antikorrupsioni kujtuan se është rreptësisht i ndaluar ryshfeti ndaj votuesve, keqpërdorimi i burimeve shtetërore, si dhe presioni dhe frikësimi i votuesve.
Komisioni Shtetëror për parandalimin e Korrupsionit publikoi edhe listën e institucioneve të cilat edhe pse kishin detyrim, nuk u kishin dorëzuar organeve listën e automjeteve të tyre zyrtare. Bëhet fjalë për 1063 subjekte, ndër të cilat ka një numër të madh prokurorish, gjykatash, komunash, shkollash, por edhe ministri si ajo e Jashtme, e Drejtësisë e të tjera.
Në Ministrinë e Drejtësisë sot janë takuar Krenar Lloga dhe kryetarja e misionit të ODIHR, Xhilian Stirk. Siç njoftoi Ministria, Stirk ka paralajmëruar se një ekip ekspertësh do të punojnë për çështje që kanë të bëjnë me administratën, financimin politik, financimin e fushatës, si dhe do t’i monitorojnë mediat.
Nga ana tjetër, Lloga vlerësoi se legjislacioni ligjor është në nivel të kënaqshëm dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR-së janë zbatuar, por mbetet sfidë për institucionet që të përballen me sukses me gjuhën e urrejtjes dhe lajmet e rreme.
Paraprakisht, edhe Prokuroria Publike kishte njoftuar se është themeluar Komision për monitorimin e parregullsive zgjedhore. Në të njëjtën kohë, Ministria e Punëve të Brendshme formoi Shtabin Operativ për të siguruar proces të sigurt zgjedhor. /Alsat.mk