Si çdo vit tjetër edhe sivjet ditët e fundit të muajit të shenjtë të Ramazanit dhe në prag të festës së Bajramit, mblidhen të holla për nevojtarët, apo siç njihen ndryshe vitra.
Interesimi i qytetarëve për t’ua mbushur tryezat atyre që nuk kanë, po vazhdon të jetë si çdo herë tjetër, raporton Kiks Kosova.
Kështu është shprehur hoxhë Bexhet Ajvazi, i cili është edhe drejtor në organizatën humanitare “Bereqeti”. Mirëpo, ai ka bërë të ditur se dhënia e vitrave ka ndryshuar formë ndër vite.
Sipas hoxhë Ajvazit, më parë shpërndaheshin më shumë gjëra ushqimore, por tashmë me t’u përmirësuar kushtet ekonomike, më shumë shpërndahen para e gjëra të tjera të cilat i blejnë dhe ua dërgojnë.
Ai për KIKS-in tha se nuk ka dëgjuar që të ketë pasur raste të mashtrimeve përmes këtyre iniciativave.