Presidenti amerikan Joe Biden do të takohet me zyrtarë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Dhomën e Situatave në Shtëpinë e Bardhë pas kthimit të tij nga Rehoboth, Delaware, sipas një deklarate nga Shtëpia e Bardhë.
Presidenti u informua gjithashtu për situatën në Lindjen e Mesme më herët nga këshilltari i sigurisë kombëtare Jake Sullivan dhe zëvendëskëshilltari kryesor i sigurisë kombëtare Jon Finer, tha Shtëpia e Bardhë.
Shtëpia e Bardhë shtoi se Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin, Sekretari i Shtetit Antony Blinken dhe Kryetari i Shefave të Shtabit të Përbashkët, Gjeneral Charles Q. Broën do të jenë midis të pranishmeve në Dhomën e Situatës, së bashku me Sullivan dhe Finer.
Nënpresidentja Kamala Harris dhe shefi i stafit të Biden, Jeff Zients “do të marrin pjesë me video të sigurt”, tha Shtëpia e Bardhë.
Irani ka nisur dronët në drejtim të Izraelit, ka thënë një zëdhënës i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, njofton CNN.
Zëdhënësi i IDF, Daniel Hagari tha se ata po e ndiqnin kërcënimin në hapësirën e tyre ajrore dhe shtoi se kërcënimi do të marrë disa orë për të mbërritur në Izrael. GPS nuk do të jetë i disponueshëm në zona të caktuara si pjesë e përgatitjeve, tha Hagari.
“Nëse zbulojmë kërcënime specifike që kanë një kohë më të shkurtër mbërritjeje, ne do t’ju përditësojmë menjëherë,” tha Hagari. “Ne ju kërkojmë të jeni vigjilentë dhe të ndiqni udhëzimet e Komandës së Frontit të Brendshëm. Ne i kuptojmë këto kërcënime dhe i kemi trajtuar ato në të kaluarën.”
Analisti i çështjeve politike dhe globale të CNN, Barak Ravid tha gjithashtu se Irani kishte nisur sulmin duke përdorur dhjetëra drone, duke cituar katër zyrtarë amerikanë dhe izraelitë.
Lajmin e ka konfirmuar edhe një zyrtar amerikan se Irani lëshoi drone kundër Izraelit, menjëherë pas një njoftimi nga Forcat Mbrojtëse të Izraelit.