Izraeli kërkoi të dielën që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të veprojë për të ndëshkuar Iranin, pas një sulmi të pashembullt ushtarak iranian ndaj Izraelit, që Teherani tha se ishte në hakmarrje për një sulm të dyshuar izraelit në ambasadën e tij në Siri, në fillim të këtij muaji.
“Sot, këshilli duhet të ndërmarrë veprime”, i tha Këshillit të Sigurimit i dërguari i Izraelit në OKB, Gilad Erdan. “Dënojeni Iranin për terrorin e tij; rivendosni sanksionet gjymtuese; shpallini Rojat Revolucionare iraniane si një organizatë terroriste. Duhet të veprohet tani. Jo për hir të Izraelit, jo për hir të rajonit, por për hir të botës”, tha ai.
Izraeli kërkoi takimin urgjent të këshillit pas një sulmi të drejtpërdrejtë në territorin e tij nga Irani, i cili tha se përfshinte 170 dronë dhe mbi 150 raketa. Izraeli tha se mbrojtja e tij ajrore, së bashku me ato të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tjerë, rrëzuan 99 për qind të tyre.
I dërguari izraelit Erdan kritikoi këshillin që nuk u vuri veshin paralajmërimeve të Izraelit përgjatë viteve për Iranin. Ai tha se komuniteti ndërkombëtar qëndroi i heshtur për ngritjen e “një Rajhu islamik shiit”, por me sulmin e drejtpërdrejtë të Iranit ndaj Izraelit, regjimi tani është shpërfaqur.
Ai tha se Irani kishte “kaluar çdo vijë të kuqe” dhe se Izraeli ruan të drejtën ligjore për t’u hakmarrë.
I dërguari i Iranit tha se iranianët nuk kishin zgjidhje tjetër veçse të ushtrojnë të drejtën e tyre për vetëmbrojtje pas sulmit të 1 prillit në ambasadën e tyre në Damask, dhe dështimit të Këshillit të Sigurimit për ta dënuar zyrtarisht atë.
Disa diplomatë të këshillit thanë se Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Britania bllokuan një dënim të sulmit të 1 prillit, sepse kishin pikëpyetje nëse objektet iraniane po përdoreshin për operacione të fshehta.
“Ky regjim i paligjshëm ka kryer shumë krime mizore kundër popullit tonë”, tha ambasadori iranian Amir Saeid Iravani duke folur për Izraelin. “Ky regjim pranoi hapur përgjegjësinë e tij për operacionet terroriste dhe shkatërruese të kryera kundër zyrtarëve, shkencëtarëve dhe civilëve iranianë dhe sabotimit të infrastrukturës sonë bërthamore paqësore në vitet e fundit”.
Izraeli dyshohet se ka kryer disa sulme ajrore, atentate dhe sulme kibernetike ndaj Iranit në vitet e fundit, shumica të përqendruara në programin e tyre bërthamor. Izraeli kurrë nuk i konfirmon publikisht operacionet e tilla.
I dërguari Iravani tha se Irani “nuk kërkon përshkallëzim apo luftë në rajon”, por do të mbrohet nëse është e nevojshme.
Ai gjithashtu theksoi se Irani nuk dëshiron një konflikt me Shtetet e Bashkuara.
“Ne treguam përkushtimin tonë për paqen duke ushtruar përmbajtjen tonë për përfshirjen e ushtrisë amerikane në pengimin e dronëve dhe raketave iraniane të nisura kundër objektivave ushtarake në territoret e pushtuara palestineze”, tha ai. “Kjo nënvizon përkushtimin tonë për uljen e tensioneve dhe shmangien e zgjerimit të konfliktit”.
Por. ai shtoi se nëse ushtria e Shteteve të Bashkuara fillon ndonjë operacion kundër vendit të tij, qytetarëve ose interesave të tij të sigurisë, Irani do të “përgjigjet me të njëjtën masë”.
I dërguari i Shteteve të Bashkuara, Robert Wood, tha se Uashingtoni nuk po kërkon një përshkallëzim me Teheranin, por lëshoi një paralajmërim.
“Më lejoni të jem i qartë, nëse Irani ose zgjatimet e tij ndërmarrin veprime kundër Shteteve të Bashkuara ose veprime të mëtejshme kundër Izraelit, Irani do të mbahet përgjegjës”, tha ai.
I dërguari Wood tha se Shtetet e Bashkuara do të fillojnë këshillimet me vendet e tjera për të “shqyrtuar masa shtesë për ta mbajtur Iranin përgjegjës këtu në Kombet e Bashkuara”. Ai nuk dha hollësi se çfarë mund të përfshijë kjo, por i kërkoi Këshillit të Sigurimit të “dënojë pa mëdyshje” veprimet e Iranit dhe t’u bëjë thirrje partnerëve dhe zgjatimeve të tij t’i japin fund sulmeve të tyre.
Grupet e mbështetura nga Irani, përfshirë Hezbollahun në Liban dhe Huthit në Jemen, kanë qëlluar me raketa në drejtim të Izraelit, dhe Houthit kanë kryer sulme ndaj anijeve në Detin e Kuq dhe Ngushticën e Hormuzit.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së iu drejtua takimit urgjent, duke bërë thirrje për ulje të tensioneve.
“Është koha të tërhiqemi nga buza e greminës”, tha sekretari Antonio Guterres, duke shtuar se as Lindja e Mesme dhe as bota nuk mund të përballojnë më shumë luftë.
Shumica e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit dënoi përshkallëzimin dhe u bëri jehonë thirrjeve të shefit të ë OKB-së për ulje tensionesh dhe diplomaci, ndërsa shprehu shqetësimin për rrezikun e zgjerimit të trazirave rajonale.