Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e ka mirëpritur miratimin e raportit që i hap rrugën Kosovës për anëtarësimin në Këshillin e Evropës.
Krasniqi ka falënderuar ata që votuan pro shtyrjes përpara të këtij procesi, veçanërisht deputetin rumun, Iulian Bulai, i cili sipas tij, bashkë me deputetët e PDK-së, ka kontribuar në çdo hap të këtij procesi.
“Tani, me optimizëm, angazhim dhe lobim, presim votimin final të Komitetit të Ministrave të Jashtëm, që do të mbahet pas një muaji”, ka shkruar lideri opozitar në Facebook.
Miratimin e këtij raporti të martën nga Asambleja Parlamentare e KiE-së e ka mirëpritur edhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Ai ka thënë se kjo përkrahje është hap kolosal në afirmimin ndërkombëtar të pozicionit të Republikës së Kosovës.
“Shteti ynë i ri, qytetarët e Kosovës, kanë vendosur themelet e forta të demokracisë, të drejtave dhe lirive të njeriut. Ky përkushtim i rrënjosur në frymën e Kushtetutës e shpirtin e qytetarëve, u vlerësua nga shtetet anëtare të Këshillit të Evropës”, ka shkruar ai.