Hondurasi e ka zyrtarizuar sot zhvendosjen e ambasadës së saj në Izrael nga Tel Avivi në Jerusalem, si pjesë e përpjekjeve për t’i forcuar lidhjet me shtetin hebre, duke u bërë vendi i katërt që e vendos ambasadën atje.
Kombi i Amerikës Qendrore tashmë kishte hapur një zyrë tregtare në Jerusalem, duke thyer një politikë me dekada të tëra të neutralitetit në konfliktin Izraelo-Palestinez.
Presidenti i Hondurasit, Juan Orlando Hernandez dhe ministri i Jashtëm, Lisandro Rosales u mirëpritën nga kryeministri i ri izraelit, Naftali Bennett dhe ministri i Jashtëm, Yair Lapid në një ndërtesë në një park teknologjie në Jerusalemin jugor.
“Unë jam këtu sot me delegacionin tonë për ta përuruar Ambasadën e Hondurasit në Jerusalem, kryeqytetin e përjetshëm të Izraelit”, tha Hernandez.
“Unë sinqerisht dëshiroj që presidenti i ardhshëm i Hondurasit, pa marrë parasysh nga cila parti është, ta ruajë këtë vendim. Unë do të luftoj për këtë”, theksoi ai.
Pjesëmarrja e Hernandez në inaugurim ishte “dëshmi e miqësisë së thellë dhe lidhjes midis shtetit hebre dhe popullit të Hondurasit”, tha Bennett.
Izraeli kësisoj ka vendosur ta hapë një zyrë diplomatike në Tegucigalpa, kryeqytetin e Hondurasit.