Tre punonjësit e parë të Inspektoratit të Përgjithshëm të Karabinierëve (IGC) të Moldavisë janë dërguar në misionin ndërkombëtar paqeruajtës në Kosovë të premten.
Në këtë ngjarje morën pjesë ministri i brendshëm i këtij vendit, Adrian Efros, ai i mbrojtjes Anatolie Nosatai, ambasadori i Italisë në Moldavi, Lorenzo Tomassoni, lidershipi i IGC-së së ministrisë së brendshme dhe familjarë të karabinierëve.
Ministri Adrian Efros theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së trupave Karabinieri në misione dhe operacione paqësore për Moldavinë.
“Pjesëmarrja e karabinierëve tanë në misionin ndërkombëtar përfaqëson jo vetëm përmbushjen e angazhimeve sipas Kartës së OKB-së dhe traktateve ndërkombëtare, por edhe një kontribut të rëndësishëm në promovimin e vlerave themelore të demokracisë, respektimit të të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës. Ky mision në Kosovë është një mundësi që këta punonjës të guximshëm të MPB-së të demonstrojnë aftësitë dhe kompetencat e tyre profesionale dhe që Moldavia të forcojë pozitën e saj në bashkësinë ndërkombëtare”, tha ministri Efros.
Ambasadori i Italisë në Moldavi, Lorenzo Tomassoni, tha se “përmes karabinierëve të saj, Moldavia ofron një kontribut shtesë për sigurinë ndërkombëtare, atë të Ballkanit, stabiliteti i të cilit është thelbësor për Bashkimin Evropian”.
Ministri Nosatyi u bëri thirrje tre karabinierëve që të kontribuojnë me nder dhe përkushtim në misionin e tyre në Kosovë.
“Uroj që Karabinierët që do të dislokohen në Kosovë të tregojnë shumë përgjegjësi dhe përkushtim ndaj këtij misioni të rëndësishëm paqeruajtës në Ballkanin Perëndimor”, tha ministri.