Përderisa përfaqësuesit e Listës Serbe gëzojnë mbështetjen e Beogradit për të marrë pjesë në institucionet e Kosovës, madje edhe kur betohen në Kushtetutën e Kosovës, anëtarët e tjerë të komunitetit serb të Kosovës ndalohen, arrestohen ose merren në pyetje, nën dyshimin se kanë shkelur rendin kushtetues të Serbisë.
Me 17 prill, pesë pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të nacionalitetit serb, u ndaluan në Serbi dhe u kryen “verifikimet për sigurinë e Republikës së Serbisë”.
Madje, zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq, i është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë. Megjithatë, ai është liruar mbrëmjen e 18 prillit.
Autoritetet e Kosovës njoftuan se serbët e ndaluar nga Kosova akuzohen për “shkelje të rendit kushtetues të Serbisë”.
Avokati nga Beogradi, Bozho Prelleviq, ka thënë se të gjithë ata serbë nga Kosova, që nuk ndjekin politikat e Partisë Progresive Serbe në pushtet, mund të akuzohen për shkelje të rendit kushtetues të Serbisë.
“Ndërkaq, nuk do të përgjigjet askush që ndjek politikën partiake, pavarësisht se ajo politikë partiake është thellësisht antikushtetuese, e paligjshme e kështu me radhë”, thekson ai.
Edhe politikania serbe nga Kosova, Rada Trajkoviq, e cila jeton në Beograd, konsideron se autoritetet serbe “po ushtrojnë represion” mbi të gjithë serbët e Kosovës që nuk janë “besnikë” ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Të gjithë ata që nuk janë besnikë ndaj Vuçiqit dhe kanë komunikim me institucionet e Kosovës, janë në listën e zezë në Serbi”, thotë Trajkoviq.
Vuçiq është një nga themeluesit e Partisë Progresive Serbe në Beograd si dhe i Listës Serbe në Kosovë.
Kjo parti – më e madhe e serbëve në Kosovë – është e vetmja që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar për veprimin dhe pjesëmarrjen e saj në institucionet e Kosovës.