Përfaqësuesi i SHBA-së në Këshill të Sigurimit të OKB-së, Robert Wood, ka bërë thirrje sërish që përgjegjësit për sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator të dalin para drejtësisë.
Ai po ashtu ka dënuar ndalimin e qytetarëve të Kosovës javën e kaluar nga autoritetet serbe, ndërsa po kalonin tranzit nëpërmjet Serbisë.
“Kanë kaluar 7 muaj nga sulmi paramilitar serb në afërsi të manastirit të Banjskës në veri të Kosovës, dhe Serbia ende s’ka bërë ansjë përparim për të gjetur përgjegjës ata që ishin prapa këtij sulmi, përfshirë edhe liderin e vetëdeklaruar të këtij sulmi Milan Radoiçiq. Bëjmë thirrje për përgjegjësi të plotë në përputhje me sundimin e ligjit. Është kritike po ashtu që Serbia të punojë me KFOR-in për të parandaluar një sulm të ngjashëm si ai i 24 shtatorit”, ka thënë Wood.
Ai ka thënë se ndalimi i qytetarëve të Kosovës në Serbi ishte shkelje e marrëveshjeve të kaluara, e lirisë së lëvizjes dhe formë e frikësimit të serbëve të Kosovës që marrin pjesë në jetën civile të Kosovës.
Po ashtu ai ka thënë se SHBA-ja mbetet e shqetësuar lidhur me rregulloren e BQK-së për transaksione kesh.
Ndërsa ka bërë thirrje për normalizim të marrëdhënieve, duke përfshirë gjetjen e një “zgjidhje për valutën dhe po ashtu përparim drejt formimit të Asociacionit”.
“Dialogu është mënyra e vetme drejt normalizimit dhe rruga drejt institucioneve evropiane për të dyja palët”.
Ai ka folur edhe për mbajtjen e votimit të dielën për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat veriore të Kosovës. Ka thënë se ndjen keqardhje se disa faktorë politikë nuk e shfrytëzuan këtë të drejtë demokratike.
“E vlerësojmë angazhimin e Kosovës që të lejojë të gjithë qytetarët në katër komunat të marrin pjesë në këtë proces. E dimë se nuk ka pasur vendim për shkarkimin e kryetarëve dhe ata mbesin në fuqi, sipas kornizës ligjore të Kosovës”, ka thënë ai.
Ai po ashtu ka ripërsëritur thirrjet për përfundimin e mandatit të UNMIK-ut.