Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit e ka cilësuar ndryshe nga ai i viteve të kaluara, pasi i njëjti thotë se “Ka korrupsion serioz të Qeverisë”.
Abdixhiku në “Rubikon me Adriatik Kelmendin” tha se për këtë korrupsion nuk ka pasur ndëshkueshmëri.
“Ky është njëri ndër raportet më të rëndësishme që nxjerrë Departamenti i Shtetit. Unë sot lexova raportin dhe lexova që janë 4 elemente kryesore përveç kësaj që përmende lirinë e shprehjes që është e drejt elementare dhe është shqetësuese që na vlerësohet e cenuar. Përveç të drejtave të njeriut dhe gjyqësorit, një çështje ishte specifike kishte të bënte me definimin e korrupsionit serioz të Qeverisë dhe pandëshkueshmërinë. Konstatohet se ka korrupsion serioz në Qeverinë e Kosovës dhe ka pandëshkueshmëri. Do të thotë ka fakte për korrupsion. Kishte edhe pandëshkueshmëri politike, sepse bëhej fjalë për ministra. Ky raport është ndryshe nga raportet e tjerë, kur thuhet ka korrupsion serioz të Qeverisë sepse Shqipërinë nuk e kanë cilësuar të tillë. Definimi korrupsion serioz është shkallë më e lartë, ka korrupsion, prezencë e lehtë e korrupsionit, por këtu thuhet serioz”, tha Abdixhiku.
I pari i kësaj partie tha se LDK gjatë tërë kohës në parlament e studio televizive ka ngritur dyshimet mbi kontratat njëburimore, apo tenderët sekret që Qeveria çdo ditë punë e nënshkruan nga një. “Ka disa muaj që ne si LDK po përpiqemi të vëmë në pah një fenomen të jashtëzakonshëm, por që tani është bërë i jashtëzakonshëm i kontratave njëburimore, apo tenderët sekretë siç i kemi quajtur. Në qoftë se para dy muajve në studio e parlament, ne flisnimin për 781 kontrata më besoni që nga ajo ditë deri më sot në këtë fushë janë nënshkruar edhe 109 kontrata sekrete. Trendi po rritet, çdo ditë të kësaj pune në Qeveri po nënshkruhet, në vlerë shtesë prej 40 milionë euro”, shtoi Abdixhiku.