Në shënim të ditës së Personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë, në Kompleksin Memorial në Mejë u organizua tubim përkujtimor nga Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës.
Në 25-vjetorin e masakrës së Mejës, krerët e shtetit kërkuan drejtësi për viktimat, duke u zotuar se thirrja për drejtësi kurrë nuk do të mungojë.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani masakrën e Mejës e qujati “Srebrenica e Kosovës”,
“Sot këtu jemi me zemër të rënduar pa fund, ky vend është “Srebrenica e Kosovës”, ky vend është edhe thirrja jonë me e fuqishme për drejtësi. 376 civilëve të pafajshëm ju këputën ëndrrat në gjysmë vetëm pse ishin shqiptarë. Familjet e të zhdukurve me dhunë asnjëherë nuk do të jenë vetëm”, tha presidentja Osmani
Derisa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se për shqiptarët stina e pranverës është stinë përkujtimore për masakrën e Mejës.
“Ju e keni të freskët mëngjesin e atij viti kur forcat paramilitare e ushtarake të Serbisë, i dëbuan civilët nga fshatrat e Gjakovës. Të dëbuarit i drejtuan nga Meja ku i plaçkitën dhe gratë e fëmijët i drejtuan për në Shqipëri, ndërsa burrat e djem të rinj u vranë në fshatin Mejë”, tha Kurti.