Ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, ka shfaqur dëshirën për të pasuar Miroslav Lajçakun në postin e emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi në Bruksel.
Ambicion e tij e ka përkrahur edhe presidenti aktual i vendit, Robert Golub, por edhe ministrja e jashtme, Tanja Fajon, duke nisur lobim në shtetet anëtare të BE-së.
E vetë Pahor duket se ka nisur të merret seriozisht me rolin që synon ta marrë pas shtatorit.
Kjo pasi në një postim në X, ai ka thënë se është duke e përgatitur një propozim për vazhdim të dialogut mes dy vendeve.
“Ish-presidenti Pahor është duke e përgatitur një draft-kornizë për vazhdimin e dialogut, por ai dëshiron që së pari të koordinohet me Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Borrell, dhe me shtetet anëtare të BE-së, në veçanti me shtetet e Quint-it”, thuhet në një postim në X nga llogaria e ish-presidentit Pahor.
Në këtë postim thuhet po ashtu se Pahor nuk do t’u përgjigjet pyetjeve apo kërkesave për intervista, deri në njoftimin e radhës.
Miroslav Lajçak do të qëndrojë në postin e emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi vetëm deri në shtator, kur do të marrë detyrën e re, atë të Ambasadorit të BE-së në Zvicër.
Në postin e tij aktual ende nuk është caktuar askush zyrtarisht, dhe publikisht nuk ka ndonjë kandidat tjetër, përpos ish-presidentit Pahor.