Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka kritikuar ashpër VV-në për sabotimin e punës së Komisionit Hetimor Parlament për Rezervat Shtetërore.
Ai ka vlerësuar se me këto veprime partia në pushtet po tenton ta fsheh të vërtetën për këtë afër korruptive.
Në një intervistë për Nacionale, Gashi ka thënë se zinxhiri i korrupsionit në këtë rast shkon deri tek kryeministri Albin Kurti.
“Normalisht për ta fshehur të vërtetën, normalisht se ka ndodhur abuzime, sepse edhe prokuroria e shtetit ka intervistuar edhe ministren e dikasterit përkatës dhe po i vazhdon hetimet. Por, hetimi parlamentar është përtej. Pra, sipas indicieve të besueshme na rezulton që zinxhiri i krimit arrin deri të kryeministri. Pra, ky zinxhir i krimit deri të kryeministri po mundohet që të pamundësohet hetimi nga Lëvizja Vetëvendosje”, ka thënë Gashi.
Ai ka bërë me dije se ka fakte të drejtpërdrejta dhe rrethanore që vërtetojnë përfshirjen e kryeministrit në këtë çështje.
“Ka fakte. Ka fakte të drejtpërdrejta dhe rrethanore me të cilat do të ju njoftojnë anëtaret e komisionit nga radhët e LDK-së. Por, në përgjithësi koncepti politik i abuzimit dhe refuzimit të hetimit parlamentar është i papranishëm. Dhe normalisht përfshirja e kryeministrit me deklarata publike shihet që është, sidomos e zëvendëskryeministri Besnik Bislimi shihet që është e pashmangshme”, ka vlerësuar Gashi.