Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq deklaroi se propozimi për një rezolutë për Srebrenicën është siç e quajti ai një “gjest i pamatur” që synon të ushtrojë presion mbi Serbinë.
Ai për TV Prva, tha se “krijuesit e rezolutës nuk e prisnin që Serbia ta kundërshtonte kaq fuqishëm”.
“Ata prisnin që ne ta mohonim krimin, përkundrazi ne shkuam proceduralisht, deklaruam se është shkelur neni 12 i Kartës së OKB-së, se nuk ka konsensus në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në vendet e rajonit”, tha Daçiq.
“Jo vetëm që nuk kishte konsensus në botë, rajon dhe Bosnje e Hercegovinë, por askush nuk e informoi Serbinë se (rezoluta e propozuar) ishte duke u përgatitur dhe kjo është arsyeja pse ajo u prit nga disa anëtarë të OKB-së,” tha ai.
Ai shtoi se nëse duan ta hedhin në votim, rezultati do të jetë larg nga ai që duan dhe se nuk ka të bëjë me pajtimin, por vetëm do të thellojë ndarjet.
Ministri serb theksoi se Rusia kërkoi një seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Bosnje dhe Hercegovinën se ajo ishte caktuar për 30 prill. Sipas tij, anëtarja serbe e Presidencës së Bosnjës, Zheljka Cvijanoviq, do t’i drejtohej asaj online.