Gjykata kryesore e Kombeve të Bashkuara ka refuzuar kërkesën e Nikaraguas që Gjermania të urdhërohet që të ndalojë ndihmën ushtarake dhe ndihmën tjetër për Izraelin dhe të rinisë financimin për agjencinë e OKB-së për ndihmë në Gazë.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) tha se kushtet ligjore për të lëshuar një urdhër të tillë nuk u plotësuan, prandaj kërkesa u refuzua me 15 vota për dhe një kundër.
“Bazuar në informacionin faktik dhe argumentet ligjore të paraqitura nga palët, gjykata vjen në përfundim se rrethanat për të ushtruar një fuqi të tillë për ndërmarrjen e masave të përkohshme nuk janë plotësuar”, tha presidenti i GJND-së, Nawaf Salam.
Megjithatë, paneli prej 16 gjyqtarësh nuk e hodhi poshtë të gjithë rastin, që nënkupton se rasti do të vazhdojë të trajtohet në seancat dëgjimore.
Salam tha se gjykata “vazhdon të jetë thellësisht e shqetësuar me kushtet katastrofale të jetesës së palestinezëve në Rripin e Gazës, veçmas sa i përket privimit të gjerë nga ushqimi dhe kushteve të tjera elementare”.
Gjatë seanca dëgjimore, Gjermania ka argumentuar se pothuajse nuk ka eksportuar armë në Izrael që kur Izraeli nisi ofensivën në Gazë, pas sulmit vdekjeprurës të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – ndaj Izraelit më 7 tetor.
Nikaragua, një aleate e kamotshme e palestinezëve, pretendoi se Gjermania po mundëson që të kryhet gjenocid duke dërguar armë dhe mbështetje tjetër për Izraelin.
Vendimi i GJND-së ka të bëjë vetëm me urdhrat paraprak në këtë rast, i cili me gjasë do të marrë vite kohë që të zgjidhet
Gjermania mohon pretendimet e ngritura nga Nikaragua.
Izraeli, që nuk është palë në rastin mes Nikaraguas dhe Gjermanisë, mohon fuqishëm se sulmi i tij në Gazë përbën akt të gjenocidit dhe insiston se po vepron në vetëmbrojtje.
Rasti i ngritur nga Nikaragua është beteja e fundit ligjore, e ngritur nga një shtet që ka lidhje historike me popullin palestinez, rast që synon të ndalë ofensivën e Izraelit.
Vitin e kaluar, Afrik e Jugut në këtë gjykatë e akuzoi Izraelin për gjenocid.
Rasti në GJND vjen në kohën kur aleatët e Izraelit po përballet me thirrjet që të mos e furnizojnë me armë këtë shtet.
Gjatë një seance dëgjimore në herët gjatë këtij muaji, ambasadori i Nikaraguas në Holandë, Carlos Jose Arguello Gomez, tha se “Gjermania po dështon që të respektojë obligimet e saj që të parandalojë gjenocidin dhe të sigurohet që po respektohet ligji humanitar ndërkombëtar”.
Nikaragua po ashtu dëshiron që Gjermania të rinisë fondet për agjencinë e OKB-së për ndihmë në Gazë.
Ekipi ligjor i Gjermanisë ka argumentuar se pretendimi i Nikaraguas “nuk është i bazuar në fakte apo ligje”.
Lufta në Gazë nisi pasi më 7 tetor Hamasi sulmoi jugun e Izraelit, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Izraeli thotë se grupi radikal palestinezë ende po mban afër 100 pengje, përfshirë mbetjet mortore të më shumë se 30 personave.
Ofensiva izraelite në Gazë ka vrarë më shumë se 34.000 palestinezë, sipas zyrtarëve lokalë shëndetësorë. Lufta ka detyruar 80 për qind të popullatës së Gazës që të largohen nga shtëpitë e tyre, ka shkaktuar shkatërrim të madh dhe ka shtyrë banorë në veri të enklavës buzë urisë./rel