Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, në Ditën Botërore të Lirisë së Mediave ka thënë se sunduesve i pengon liria e shprehjes dhe ajo e mediave.
Haradinaj tha se mbrojtja e gazetarëve dhe medias së lirë është ndër parimet e panegociueshme dhe sipas tij, është obligim institucional e shoqëror që të ruhet dhe të avancohet ky segment i lirisë.
“Sot në Ditën Botërore të Lirisë së Mediave, reflektojmë mbi rëndësinë e lirisë së fjalës dhe lirisë së medias”.
“Shqetësues mbetet qasja e eksponentëve të pushtetit me sulmet e orkestruara që i bëjnë mediave dhe tendenca për kontroll ndaj tyre, duke shënuar regres alarmant sa i përket lirisë së medias, i vërtetuar edhe nga raportet e institucioneve kredibile ndërkombëtare”, tha Haradinaj.
Më tej, ai tha se qëndron krah medias dhe në mbrojtje e respekt ndaj fjalës së lirë.
Këtë të premte, organizata më e madhe botërore për lirinë e medias, Reporterët pa Kufij, ka publikuar indeksin vjetor të lirisë së medias, ku Kosova është radhitur si e 75-ta, apo 19 vende më poshtë se vitin e kaluar.