Misionet e përbashkëta monitoruese të OSBE/ODIHR-it si dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës dhe Parlamentit Evropian, zgjedhjet e dyfishta në Maqedoninë e Veriut, ato presidenciale dhe parlamentare i kanë vlerësuar si të drejta dhe demokratike.
Në konkluzionet preliminare të misionit ndërkombëtar vëzhgues për zgjedhjet dje thuhet se dita e zgjedhjeve u vlerësua si pozitive, ku në masë të madhe ishin respektuar procedurat e votimit.
Por, sipas tyre, zbrazëtitë në legjislacionin si dhe dyshimet e rrezikojnë sigurinë juridike, për çka sipas tyre, është i nevojshëm revizioni i tyre.
“Një numër i madh i rekomandimeve kryesore të ODIHR-së dhe Komisionit të Venecias të Këshillit të Evropës mbetën të pazgjidhura, duke përfshirë ato për rishikim sistematik të Kodit Zgjedhor, për sigurimin e qasjes së barabartë në media në fushatat zgjedhore dhe për rritjen e llogaridhënies dhe integritetit të financimin e fushatës”, tha ambasadorja e OSBE-së në Maqedoninë e Veriut, Jilian Strik.
Monitoruesit ndërkombëtar në 1.340 vendvotime pozitivisht i kanë vlerësuar procedurat për votim. Megjithatë theksohet se ishin vërejtur disa raste të votimit në grupe dhe familje.
Misioni ndërkombëtar vëzhgues në ditën e zgjedhjeve kishte 344 vëzhgues, nga 42 vende. Rezultatet përfundimtare për rrethin e parë dhe të dytë për zgjedhjet presidenciale dhe për zgjedhjet parlamentare OSBE/ODIHR paralajmëroi se do t’i publikojë për dy deri tre muaj./tvklan.mk