Disa nga idetë që janë pjesë e librit tregojnë se ndihmat e ardhshme për Ukrainën do të kushtëzohen nga pjesëmarrja e Kievit në bisedimet për paqe me Rusinë. Një tjetër pikë thotë se shtetasve kinezë do t’u ndalohet e drejta të blejnë prona brenda një hapësire prej 80 kilometrash nga ndërtesat e qeverisë amerikane. Libri gjithashtu thotë se në sektorin e sigurisë kombëtare duhet të emërohen vetëm bashkëpunëtorët e Donald Trump-it.
Një nga disa grupet që kanë lidhje me ish-presidentin amerikan dhe që përpiqen të hedhin bazat për një administratë të dytë të Trump, nëse kandidati i pritshëm republikan fiton në nëntor, ka publikuar një libër të ri përmes së cilit synon të artikulojë axhendën e ardhshme të sigurisë kombëtare që në qendër ka politikat e institutit të së djathtës së skajshme ‘America First’.
Agjencia e lajmeve ‘Associated Press’ njofton se disponon një kopje të librit, ndërsa publikimi i tij do të bëhet të enjten. Ashtu si “Projekti 2025” i Fondacionit ‘Heritage’, Instituti ‘America First’ po bën përpjekje të ndihmojë zotin Trump të shmangë gabimet e vitit 2016, kur ai hyri në Shtëpinë e Bardhë kryesisht i papërgatitur.
Projekti i institutit në fjalë ka punuar për të hartuar dhjetëra urdhra ekzekutivë dhe për të hartuar një program përgatitor për të emëruarit e ardhshëm politikë. ‘Heritage’ ka ndërtuar një bazë të dhënash të personelit dhe ka ofruar programet e veta të politikave.
Të dy grupet theksojnë se janë të pavarur nga fushata e Trump, e cila është përpjekur vazhdimisht të distancohet nga publikime të tilla.
Zyrtarët e ekipit elektoral të zotit Trump këmbëngulin se të vetmet politika të mbështetura nga ish-presidenti janë ato që kandidati republikan i artikulon vetë.
Megjithatë Fred Fleitz, redaktori i librit, vuri në dukje se ai dhe gjenerali në pension Keith Kellogg, i cili shërbeu për një kohë si ushtrues i detyrës së këshilltarit të Trump për sigurinë kombëtare dhe shkroi disa nga kapitujt e librit, kanë qenë në kontakt të shpeshtë me ish-presidentin.
“Shpresojmë se këto qëndrime janë të ngjashme me ato të tij. Ne nuk po flasim në emër të tij, por unë mendoj se ai do të pajtohet me librin”, tha zoti Fleitz, i cili më parë shërbeu si drejtues në Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
Ai tha se shpreson se libri do të shërbejë si një udhëzues për qasjen e të djathtës së skajshme “America First” për sigurinë kombëtare.
“Është një strategji e madhe”, shtoi zoti Kellogg. “Nuk fillohet puna nga politikat, por me strategjitë. Kjo është ajo që ne kemi bërë.”
Grupi vlerëson se politikat aktuale të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara janë një dështim si rezultat i qasjes “globaliste” dhe mbështetjes për ndërhyrje në konfliktet e jashtme, në kurriz të interesave kombëtare të Amerikës.
Libri ofron disa udhëzime se si një administratë e ardhshme e Trump mund t’i qaset çështjeve të politikës së jashtme, siç është lufta e Rusisë kundër Ukrainës. Ish-presidenti Trump ka thënë se nëse do të fitonte zgjedhjet, ai do ta zgjidhte konfliktin përpara ditës së inaugurimit në janar, por nuk ka pranuar të thotë se si do ta bëjë këtë.
Kapitulli i librit mbi luftën shpenzon më shumë kohë duke diskutuar se si filloi konflikti, se sa si t’i jepet fund atij. Megjithatë, libri thotë se SHBA-ja duhet të kushtëzojë ndihmën e ardhshme ushtarake me pjesëmarrjen e Ukrainës në bisedimet e paqes me Rusinë.
Ai parashikon që ushtria ukrainase do të humbasë terren me kalimin e kohës dhe këshillon që SHBA nuk duhet të vazhdojë “të dërgojë armë në një ngërç që Ukraina përfundimisht do ta ketë të vështirë ta fitojë”. Por sapo të arrihet një marrëveshje paqeje, libri thotë se SHBA-të do të vazhdojnë të armatosin Ukrainën si një pengesë për përpjekjet e tjera të Rusisë.
Autorët duket se mbështesin një kornizë në të cilën Ukrainës “nuk do t’i kërkohet të heqë dorë nga qëllimi për të rimarrë të gjithë territorin e saj”. Por Ukraina do të duhet të pajtohej me idenë “se kjo do të kërkonte një sukses të ardhshëm diplomatik që ndoshta nuk do të ndodhë para se Presidenti rus Vladimir Putin të largohet nga detyra”.
Libri e pranon se ukrainasit “do ta kenë të vështirë të pranojnë një paqe të negociuar që nuk ua kthen të gjithë territorin, të paktën tani për tani, ose pa mbajtur Rusinë përgjegjëse për gjakderdhjen që ajo shkaktoi në Ukrainë. Mbështetësit e tyre gjithashtu do ta kenë problem këtë. Por siç tha Donald Trump-i gjatë një interviste në televizionin amerikan CNN në vitin 2023, “‘Unë dua që njerëzit të mos vdesin’. Kjo është gjithashtu pikëpamja jonë. Është një hap i parë i mirë.”
Libri fajëson presidentin demokrat Joe Biden për luftën dhe përsërit pretendimin e zotit Trump se presidenti Putin nuk do të kishte nisur kurrë sulmin kundër Ukrainës nëse zoti Trump do të kishte qenë në detyrë. Argumenti i tij kryesor në mbrojtje të këtij pretendimi është se zoti Putin e shihte ish-presidentin Trump si të fortë dhe vendimtar. Në fakt, zoti Trump u afrua me udhëheqësin rus dhe hezitoi ta sfidonte atë.
Në vijim, libri sugjeron se Putin mund të bindet të pranojë bisedimet për paqe nëse presidenti Biden dhe udhëheqës të tjerë të NATO-s pranojnë të shtyjnë anëtarësimin në NATO të Ukrainës për një periudhë të gjatë. Libri sugjeron që Shtetet e Bashkuara në vend të kësaj duhet të krijojnë një “arkitekturë sigurie afatgjatë për mbrojtjen e Ukrainës”. Libri nuk jep asnjë shpjegim se çfarë do të nënkuptonte kjo.
Libri është kritik ndaj periudhës së tranzicionit gjatë të cilës Trump merrte detyrën në vitin 2016, duke thënë se kishte mungesë të përgatitjes për këtë.
“Tranzicioni i trazuar i viteve 2016/2017 nuk i shërbeu mirë Presidentit Trump dhe kombit dhe ngadalësoi avancimin dhe zbatimin e agjendës së tij”, shkruajnë autorët. Për shembull, ata vërejnë se para zgjedhjeve, ekipi i tranzicionit të demokrates Hillary Clinton kishte paraqitur më shumë se 1000 emra për verifikimin e ardhshëm të sigurisë para se të emëroheshin, ndërsa ekipi i Trump paraqiti vetëm 25 emra.
Grupi thotë se ka identifikuar afërsisht 1200 pozicione të lidhura me sigurinë kombëtare që do t’i duhet të plotësojë administrata e ardhshme dhe e nxit atë të jetë gati qysh në ditën e parë, përfshirë bashkëpunëtorët e zotit Trump që janë besnik ndaj qasjes “America First”.
“Nuk bëhet fjalë për hakmarrje ndaj njerëzve apo përpjekje për të politizuar pozitat qeveritare. Ka të bëjë me sigurimin që punonjësit e qeverisë të bëjnë punën e tyre dhe ta mbajnë politikën jashtë punës së tyre”, tha zoti Fleitz.
Libri përshkruan Kinën si kërcënimin më urgjent të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Pekini, sipas librit është i etur për t’i zënë vendin Shteteve të Bashkuara si fuqia kryesore e botës. Libri propozon një politikë të ashpër që mbështetet në qasjet si gjatë viteve të presidencës Trump ashtu edhe nga administrata e presidentit Biden, me qëllim që t’i bëjë politikat e Pekinit “përgjithësisht pa ndonjë vlerë për amerikanët”.
Libri rekomandon gjithashtu një kontroll më rigoroz të kompanive kibernetike dhe teknologjike në pronësi të kundërshtarëve të SHBA-së, veçanërisht Kinës, për t’u siguruar që nuk po mbledhin informacione konfidenciale. Ai gjithashtu rekomandon që shtetasve kinezë t’u ndalohet blerja e pronave brenda një hapësire prej 80 kilometrash nga çdo pronë e qeverisë amerikane.
Libri bën thirrje për kufizime vizash për studentët kinezë që dëshirojnë të studiojnë në Shtetet e Bashkuara dhe për ndalimin e platformës për shpërndarjen e videove ‘TikTok’ dhe aplikacioneve të tjera kineze për shkak të shqetësimeve për privatësinë e të dhënave personale. Ish-presidenti Trump, megjithatë, është shprehur kundër një ligji që do të detyronte shitjen e platformës ‘TikTok’, ose do të bllokonte qasjen në të të amerikanëve.
Pikëpamjet e analistëve për atë se si duket një politikë e bazuar tek parimet e përqasjes “America First” shpesh pasqyrojnë qëndrimet personale të shkrimtarëve.
Për Ellie Cohanim, ish-zyrtare e Departamentit të Shtetit të zotit Trump, e ngarkuar me monitorimin dhe luftimin e antisemitizmit, “America First” duket më shumë si një listë me objektiva të dëshiruara nga ushtria izraelite.
SHBA duhet t’i dërgojnë Izraelit një skuadrilje me aeroplanë F-35 të firmës “25 Lockheed Martin”, një skuadrilje të avionëve F-15 EX të firmës Boeing dhe një skuadrilje helikopterësh sulmues “Apache E”, shkroi zonja Cohanim.
SHBA duhet t’i japë Izraelit disa nga miliarda dollarët e saj nga fondet ushtarake në monedhën izraelite, në mënyrë që Izraeli t’i shpenzojë ato brenda vendit. Uashingtoni gjithashtu duhet t’i shtyjë shtetet arabe të mbulojnë shpenzimet për rindërtimin e Gazës dhe të pranojnë që Izraeli të lërë mënjanë dialogun politik me palestinezët në pritje të një periudhe të pacaktuar deradikalizimi të detyrueshëm për popullin palestinez, shkroi ajo. /VOA