Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e një togeri policor i cili dyshohet se ka kryer vepra penale “Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara”.
Sinjali mëson se togeri i cili është suspenduar nga IPK është Imer Zeqiri, i cili njëherit është edhe kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës.
I njëjti dyshohet se pa autorizim ka incizuar bisedat e nënkryetarëve të Sindikatës.
Në njoftim u tha se Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve ka pranuar sot një informacion nga Policia e Kosovës lidhur me dyshimet se nga një toger policor është kryer vepra penale “Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara”.
“Pas pranimit të informacionit hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes ku dyshohet se është kryer vepra penale respektivisht në zyrat e Sindikatës së Policisë së Kosovës.
Zyrtarët e IPK-së kanë kontaktuar me Prokurorin kompetent duke ndërmarrë veprime konkrete hetimore së bashku edhe me njësi relevante të Policisë së Kosovës.
Në kuadër të veprimeve hetimore është bërë ekzaminimi i vendit të ngjarjes si dhe është konfiskuar një telefon mobil i cili pritet të dërgohet për ekzaminim të mëtutjeshëm forenzik.
IPK pas veprimeve fillestare hetimore ka rekomanduar suspendimin e zyrtarit të dyshuar.
Inspektorati Policor i Kosovës mbetet i përkushtuar në përmbushje të misionit ligjor në konsultim të vazhdueshëm edhe me prokurorin përgjegjës për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti”, u tha në njoftim.