Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre.
Një ngjarje e tillë ka ndodhur së fundi në një familje në rrugën ‘Lidhja e Prizrenit’ në Prishtinë, ku një person dyshohet se ka sulmuar fizikisht nënën e tij.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë bëjnë me dije se viktima ka kërkuar ndihmën e Policisë, ku ka njoftuar se i biri pas një konflikti verbal ka ushtruar dhunë ndaj saj, e madje e ka demoluar edhe shtëpinë.
Si pasojë e sulmit, gruaja ka marrë lëndime trupore dhe ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital.
Ndërkohë 24-vjeçari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor.
Me vendim të prokurorit, i njëjti është dërguar në mbajtje dhe do të hetohet për veprën penale ‘Dhunë në familje’.