Misioni i NATO-së në Kosovë, KFOR, ka njoftuar se njësitet turke nga Komanda Rajonale në Lindje kanë kryer me sukses një trajnim të specializuar për kontrollin e trazirave të turmës në kampin Bondsteel.
Në një postim në rrjetin social Facebook, KFOR njofton se trajnimi i zhvilluar nga njësia turke synon të rritë aftësitë e reagimit dhe menaxhimit të situatave të mundshme të trazirave, në përputhje me detyrat dhe përgjegjësitë e misionit për ruajtjen e rendit dhe sigurisë në rajon.
Në njoftimin e tyre, KFOR thekson angazhimin e vazhdueshëm dhe të pandërprerë në mbështetje të stabilitetit dhe sigurisë në Kosovë.
“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të ofruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.”
Postimi vazhdon duke përcaktuar rolin e KFOR-it si reaguesi i tretë i sigurisë, duke vënë në dukje hierarkinë e përgjegjësive ku renditet pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX).
KFOR’i thekson se punon në koordinim të ngushtë me këto entitete për të garantuar një përgjigje të koordinuar dhe efektive në situata të sigurisë.
Komanda Rajonale e Lindjes përmes këtij trajnimi dëshmon gatishmërinë e njësive të KFOR-it për të qëndruar të përgatitur në çdo moment, duke u siguruar qytetarëve të Kosovës se angazhimi për paqen dhe stabilitetin e rajonit mbetet prioritet i pandryshuar për KFOR-in.