Burri i cili vrau 40-vjeçaren, Enkelejda Danaj në Greqi është arrestuar mesditën e së enjtes. Sipas informacioneve ai është arrestuar në zonën e Filit.
50-vjeçari Eduard Danaj është pikasur nga një patrullë e policisë greke jashtë një pallati në zonën e Fylit.
Sipas Euronews Albania, ai mesa duket kishte konsumuar alkool teksa dyshohet se kishte tentuar të fshihej në pallatin në ndërtim e sipër
Ndërkohë, 40-vjeçarja që u vra brutalisht mëngjesin e së enjtes në zonën më qendrore të Menidit, sipas Protothema e kishte denoncuar plot tre herë partnerin e saj të larguar për dhunë në familje.
Hera e fundit që gruaja ka kaluar pragun e komisariatit për ta denoncuar sërish për dhunë në familje (kanosje, lëndim fizik dhe fyerje) ka qenë më 7 maj 2024. Më pas burri është arrestuar dhe dërguar në prokurori. Komandanti i njësisë së dhunës në familje e telefonoi dy ditë pas incidentit dhe ajo i tha se ishte mirë.
40-vjeçares i është dhënë urdhër për ekspertizë mjeko-ligjore dhe i janë dhënë informacione, udhëzime dhe materiale të printuara, për të marrë, nëse dëshiron, ndihmën e nevojshme materiale nga organet kompetente.
Përveç kësaj, ajo u informua për mundësinë e instalimit të aplikacionit “Panic Button” në celularin e saj dhe iu dha një kod për të hyrë në aplikacionin në fjalë. Në të njëjtën kohë, ajo u informua për mundësinë e transferimit të saj në një strukturë pritëse dhe deklaroi se nuk dëshiron.