Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka qenë kritik ndaj ekzkeutivit të vendit për letrën e dërguar në Këshillin e Evropës, ku u zotua se deri në fund të majit Kosova do ta shkruajë draft-statutin e Asociacionit.
Ai, me anë të një positmi në rrjetin social Facebook, ka parashtruar pyetje duke thënë se përse ky veprim u bë pa dakordim me presidenten Vjosa Osmani.
“Përse letërzotimi dhe përse tinëz Presidencës?! Kush mund të besojë që paska edhe këso qëndrimesh me adresu letër në ditën e anëtarësimit në KiE, në kohën kur Presidentja, Kryeministri dhe Kryetari Kuvendit e kanë nënshkruar letërzotimin pikërisht për KiE dhe pikërisht për anëtarësim?! Përse ky letërzotim tash dhe përse tinëz Presidentes?”
“Kur këta eksponentë nuk janë të besueshëm, kush tjetër duhet të jetë?! E keni zvarritur për tokë këtë Republikë, por mos na bëni të besojmë se Republika është e përkohshme deri në fund të majit. Për ju ndoshta, por për shqiptarët kjo Republikë themelet i ka hedhë me 2 korrik 1990 dhe me 17 shkurt ka finalizuar sovrantetin. Nuk lëvizin kurrë më poshtë, por vetën më lartë me miqtë e familjen evropiane, në NATO, fqinjësi të mirë dhe marrëdhënie speciale dhe permanente me ShBA”, ka thënë Haziri.