Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla, ka publikuar pamje nga operacioni i SPAK, ku janë lëshuar dhjetëra urdhër arreste për personazhe të botës së krimit.
Sikurse duket në video, forcat e RENEA-s zbarkojnë në vilat e personave të shpallur në kërkim, duke u ngjitur me shkallë.
Ministri Taulant Balla thotë se lufta kundër krimit të organizuar është e pandalshme dhe po jep rezultat.
“Lufta kundër krimit të organizuar falë bashkëpunimit me SPAK dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, si dhe vetëpastrimi i Policisë së Shtetit nga punonjësit e Policisë të lidhur me ta, janë të pandalshme dhe po japin rezultate për rritjen e parametrave të sigurisë në komunitet, krijimin e një trupe policore të denjë dhe me integritet si dhe për rritjen e besimit të qytetarëve tek Policia e Shtetit. Besimi i qytetarëve është elementi kyç që Policia të përmbushë misionin e saj”, shkruan Balla.