Një rast i tentim vrasjes ndodhi mbrëmë në Nashec të Prizrenit, ku u plagos një person, për motive dhe në rrethana akoma të paqarta. Hetimet për rastin kanë nisur, ndërkohë që i dyshuari ndodhet akoma në arrati.
I dyshuari Besnik Ukaj, me të kaluar kriminale arriti të zhdukej mbrëmë pasi e la të plagosur viktimën Jeton Ahmetaj.
Policia bastisi shtëpinë e të dyshuarit në Korishë, por nuk është gjetur asgje e dyshimtë.
Sinjali mëson se kërkimet vazhduan mbrëmë dhe si rezultat u kontrollua edhe një qebaptore, ku dyshohej se ndodhej i dyshuari.
Por, i dyshuari nuk është hasur as aty, veçse Policia ka arritur të sekuestrojë veturën e tij, Passat, me targa “05”.
Automjeti prej ku dyshohet se edhe e qëlloi i dyshuari viktimën është sekuestruar.
Rasti është iniciuar si “Vrasje në tëntative” dhe është konfirmuar edhe nga Policia në Prizren.
“Raportohet se i dyshuari mashkull kosovar, pas një mosmarrëveshje, nga vetura ka shtënë me armë zjarri në drejtim të veturës tjetër që drejtohej nga viktima mashkull kosovar.
Si pasojë, viktima ka pësuar lëndime trupore dhe i njëjti është dërguar për tretman mjekësor.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori. Nuk raportohet për të arrestuar. Rasti nën hetime.”
Ukaj është emër i njohir për organet e rendit për shkak të të kaluarës së tij kriminale.
Ai është hetuar për rastin e rrahjes brutale më 22 janar 2022 në Prizren.
Ukaj po ashtu ka qenë i dënuar për vrasjen e Salajdin Ukimerit, rojës së pompës së benzinës “Alba Petrol”, më 21 maj 2008 në Prizren.