Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) “ka juridiksion mbi krimet e kryera nga shtetas të vendeve që nuk janë palë, nëse ato krime kryhen në territorin e shteteve palë”, thotë Susana SaCouto, drejtore e Zyrës së Kërkimeve për Krime Lufte në Kolegjin e Drejtësisë në Uashington.
Një ditë më herët, kryeprokurori i GJNP-së, Karim Khan, tha se ka kërkuar të lëshohen urdhra për arrestimin e disa udhëheqësve të Izraelit dhe Hamasit – grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera.
Lufta mes tyre është përshkallëzuar nga tetori i vitit të kaluar, kur Hamasi ka sulmuar i pari Izraelin dhe ky i fundit është përgjigjur me një fushatë intensive sulmesh në Gazë.
Khan tha se ka arsye për të besuar se udhëheqësit izraelitë – përfshirë kryeministrin Benjamin Netanyahu – ashtu si edhe udhëheqësit e Hamasit kanë kryer krime të dyshuara lufte dhe krime të dyshuara kundër njerëzimit.
Izraeli nuk është anëtar i GJNP-së, ndërsa GJNP-ja ka juridiksion në Gazë dhe në Bregun Perëndimor, kujton SaCouto.
“Nëse lëshohen urdhrat për arrestim, hapi tjetër është sigurimi i paraburgimit të të dyshuarve” dhe “shtetet anëtare të GJNP-së e kanë detyrim t’i zbatojnë urdhrat e gjykatës”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.
Njëqind e njëzetekatër vende janë shtete palë në Statutin e Romës – traktatin që ka themeluar Gjykatën Ndërkombëtare Penale.