Norvegjia, Irlanda dhe Spanja kanë njoftuar se do ta njohin shtetin palestinez, raporton BBC.
Vendimin e ka mirëpritur edhe Ministria e Jashtme e Palestinës e cila është e vendosur në Bregun Perëndimor.
“Ministria e Punëve të Jashtme mirëpret vendimet e marra nga Spanja, Norvegjia dhe Irlanda për të njohur shtetin e Palestinës”, thuhet në deklaratë.
“Me këtë hap të rëndësishëm, Spanja, Norvegjia dhe Irlanda kanë demonstruar edhe një herë përkushtimin e tyre të palëkundur ndaj zgjidhjes me dy shtete dhe për dhënien e drejtësisë së vonuar për popullin palestinez”.
“Më tej, njohjet e Spanjës, Norvegjisë dhe Irlandës, janë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe të gjitha rezolutat përkatëse të Kombeve të Bashkuara, të cilat nga ana e tyre do të kontribuojnë pozitivisht në të gjitha përpjekjet ndërkombëtare drejt përfundimit të pushtimit ilegal izraelit dhe arritjes së paqes dhe stabilitetit në rajon”.
Deklarata vazhdon duke u bërë thirrje shteteve të tjera që “të marrin këtë vendim parimor sa më shpejt të jetë e mundur”.