Një rast i rëndë ka ndodhur para dy netësh në afërsi të një moteli në rrugën Prishtinë – Pejë, saktësisht në fshatin Korroticë e Epërme, ku një vajzë u godit nga një veturë. Rastit dyshohet se i parapriu një rast i dhunës, ku është përfshirë partneri i saj. Ky i fundit po hetohet “shtytje dhe ndihmë në vetëvrasje” dhe tashmë ndodhet në ndalim policor.
Sipas Sinjalit, i dyshuari që u arrestua për këtë rast është Drenis Oruqi, rreth 26-vjeçar.
I dyshuari dhe viktima e moshës 21-vjeçare, fillimisht kishin qëndruar në motel, ku kanë pasur një konflikt verbal mes vete që eskaloi edhe në dhunë fizike.
Oruqi po dyshohet se e ka sulmuar fizikisht viktimën, çka e shtyri vajzën që të largohet nga moteli për të shpëtuar, por e pësoi në mes të rrugës.
Viktima u godit nga një veturë dhe pësoi lëndime të rënda trupore, për çka u dërgua me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Policia e Kosovës e ka konfirmuar rastin dhe ka bërë të ditur se i dyshuari është dërguar në mbajtje.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi ishte fjalosur e më pas dyshohet se e kishte sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare.
E njëjta dyshohet se ishte goditur aksidentalisht nga një veturë, me ç’rast është dërguar në QKUK dhe sipas mjekut është jashtë rrezikut për jetë.
Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.”