Mbi 23 mijë maturantë të klasave të 12-ta i janë nënshtruar sot Provimit të Maturës Shtetërore të organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI). Ky provim u mbajt në 177 qendra të testimit në gjithë vendin.
Në këtë proces kanë qenë të angazhuar mbi 2 mijë administrues, 550 komisionerë, 360 mbikqyrës dhe 200 vëzhgues. Të gjitha Qendrat e testimit janë monitoruar nga Këshilli Rinor Kosovar (KYC).
Mbajtja e provimit ka filluar në orën 10:00 ashtu siç ka qenë e paraparë. Sipas informatave të para të Komisioneve, çdo gjë ka shkuar sipas planit dinamik të punës ndërkaq, në ato raste ku janë evidentuar parregullsi do të ndërmerren masa të rrepta si ndaj administrueseve, ashtu edhe ndaj nxënësve.
Anëtarët e Komisioneve në qendrat e testimit, administruesit, mbikëqyrësit dhe vëzhguesit e Provimit të Maturës që kanë shkelur rregullat e administrimit të testit do të ndëshkohen për kundërvajtje në shumë prej 300 deri në 500 euro. Ndërkaq, po të njejtit të cilët kanë zbuluar sekretet e testit do të ndëshkohen me gjobë në të holla prej 1000 deri në 3000 euro, si dhe me masa disiplinore dhe penale të parapara në Kodin Penal të Kosovës.
Secilit nxënës që i është zënë telefoni është larguar nga procesi i testimit dhe i është anuluar provimi i maturës shtetërore.
MAShTI falënderon të gjithë të përfshirët në këtë proces për kontributin dhe bashkëpunimin e tyre.
Rezultatet e Provimit të Maturës Shtetërore pritet të shpallen më 5 korrik.