Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se njohja reciproke në mes Kosovës e Serbisë, është qëllimi i dëshiruar në fund të procesit të dialogut.
Por, Hovenier tha se njohja reciproke nuk pritet të ndodhë tani, teksa shtoi se as Kosova e as Serbia nuk do të integrohen në institucionet evropiane pa njohje të ndërsjellë.
“Po, ky është absolutisht qëllimi ynë i dëshiruar që rezultati i këtij procesi, kur të ketë mbaruar, të jetë njohja reciproke, dhe besojmë se ky është i vetmi rezultat i mundur. Ky është qëndrimi i administratës Biden për një kohë të gjatë”.
“Ne flasim për njohjen e ndërsjellë që do të ndodhë dikur sepse nuk mendojmë se do të ndodhë tani. Kemi pasur dëshirë të ndodhë dhe duhet të ndodhë dhe besojmë se asnjëri vend nuk do të integrohet realisht në të gjitha institucionet evropiane dhe euroatlantike pa njohje reciproke”, tha Hovenier në një intervistë për RTK-në.
Ambasadori amerikan tha se tani për tani, ajo për të cilën po punojnë është Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit, të cilat sipas tij, janë një hap i përkohshëm që do t’i ripozicionin marrëdhëniet në mes Kosovës dhe Serbisë.
“Tani për tani ajo për të cilën po punojmë dhe për të cilën folëm vitin e kaluar në kohën e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të zbatimit të Ohrit është një hap i përkohshëm, një rrugë përpara dhe përkushtim, një sërë angazhimesh dhe detyrimesh që do të ri-poziciononin marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që ata të mos shqetësohen për kërcënimet e sigurisë nga njëri-tjetri, të mund të ndalojnë së shqetësuari për gjëra të tilla si targat dhe kartat e identitetit dhe të bashkëjetojnë në mënyrë paqësore”, tha Hovenier.