Gjykata Revolucionare Islamike në perëndim të Iranit e ka dënuar gazetaren Zina Modares Gorji me 21 vjet burgim, për shkak se ajo i ka mbështetur publikisht të drejtat e grave.
Organizata kurde për të drejtat e njeriut, Kurdpa, raportoi se gjykatësi Mohammad Karami ia shqiptoi Gorjit një aktgjykim të kombinuar me burgim. Ajo u dënua me 10 vjet burgim për “krijimin e një grupi të jashtëligjshëm, me qëllim për ta rrëzuar nga pushteti regjimin”, si dhe me 10 vjet të tjera burgim për “bashkëpunim me grupe dhe qeveri armiqësore”.
Gorji u dënua edhe me një vjet shtesë burgim për “propagandë kundër regjimit”.
Avokatët e saj kanë kërkuar që rasti të kthehet në rigjykim dhe e kanë sfiduar aktvendimin e gjykatës, duke e cilësuar si të ashpër dhe të nxitur politikisht.
Gorji ishte arrestuar për herë të parë gjatë protestave të frymëzuara nga Amini.
Pasi i kaloi 40 ditë në paraburgim, Gorji u lirua me kusht përkohësisht.
Ajo u arrestua përsëri në prill 2023 dhe e kaloi rreth një muaj në qeli të mbyllur, para se të transferohej në një burg të përgjithshëm.
Muajin e kaluar, ajo njoftoi në Instagram se libraria e saj në Sanandaj u mbyll me forcë për disa ditë nga autoritetet vendore, sepse gjoja nuk i ishte përmbajtur ligjeve detyruese për hixhabin./REL