Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se nëse ofensiva izraelite në Rafah vazhdon, ata presin që kjo të shkaktojë më shumë vdekje dhe sëmundje.
“Në rastin e një inkursioni të plotë, plani i emergjencës nuk do të parandalojë atë që presim: vdekshmëri dhe sëmundshmëri shtesë të konsiderueshme”, tha Richard Peeperkorn, përfaqësuesi i OBSH-së për Gazën dhe Bregun Perëndimor.
Një zyrtar nga agjencia e shëndetit publik tha se nëse Izraeli vazhdon me operacionin e tij në qytetin më jugor të Gazës, spitali i tij i fundit aktiv nuk do të jetë më funksional, raporton Sky News
OBSh ka paralajmëruar prej muajsh se sistemi shëndetësor në Gaza është i prishur dhe dhuna e mëtejshme do të përshkallëzonte problemet në enklavë.
Kjo organizatë humanitare, në fillim të muajit tha se tre spitalet në Rafah – al Najjar, al Helal al Emarati dhe spitalet e Kuvajtit – ishin vetëm pjesërisht funksionale dhe do të bëheshin të pasigurta për pacientët, stafin dhe ambulancat për të arritur nëse armiqësitë intensifikohen.