Presidenti amerikan, Joe Biden ka folur në një konferencë për shtyp rreth gjykimit të djeshëm dhe shpalljes fajtor të Donald Trumpit për falsifikimin e të dhënave të biznesit.
“Parimi amerikan se askush nuk është mbi ligjin u riafirmua”, thotë ai, raporton skynews.
Ai tha se 77-vjeçarit iu dha mundësia të mbrohej, juria u zgjodh si çdo juri tjetër në SHBA dhe pas një diskutimi të kujdesshëm, ajo mori një vendim unanim.
Presidenti tha se Trumpit tani do t’i jepet mundësia për të apeluar vendimin “si kushdo tjetër” që është dënuar penalisht.
Ai vazhdoi duke thënë se është “e rrezikshme” që dikush t’i quan zgjedhjet të manipuluara – siç ka bërë Trump shumë herë – dhe se drejtësia “duhet respektuar”.
Ndërkohë, republikani e ka sulmuar ashpër presidentin aktual amerikan, i cili është edhe kundërshtari i ardhshëm për zgjedhjet presidenciale amerikane të këtij viti.
“Ai është presidenti më budalla që kemi pasur ndonjëherë”, shton Trump, dhe “presidenti më i pandershëm që kemi pasur ndonjëherë”.
Ndryshe, Trump u shpall fajtor në 34 akuza për blerjen e heshtjes së yllit të filmave pornografik, Stormy Daniels.