Forcat ukrainase njoftuan se kanë goditur me sukses një sistem raketor brenda territorit rus, duke përdorur armë të furnizuara nga Perëndimi, njofton Gazeta Enigma.
Kjo vjen vetëm disa ditë pasi presidenti i SHBA -së, Joe Biden, i dha Ukrainës leje për të kryer sulme të kufizuara duke përdorur armë amerikane në territorin rus rreth Kharkivit, pasi disa vende evropiane si Mbretëria e Bashkuar, Franca e Gjermania po ashtu kishin dhënë një leje të tillë.
Është e paqartë nëse armët e përdorura ishin të furnizuara nga SHBA-ja.
“Po digjet bukur. Është një S-300 rus. Në territorin rus. Ditët e para pas lejes për të përdorur armë perëndimore në territorin armik”, shkroi ministrja e qeverisë ukrainase Iryna Vereshchuk.
Ukraina i ishte lutur për muaj të tërë Uashingtonit që ta lejonte të godiste objektivat në tokën ruse me armët amerikane, teksa Moska nisi një sulm brutal ajror dhe tokësor mbi Kharkiv, duke qenë e bindur se trupat e saj mund të tërhiqeshin përsëri në tokën ruse për t’u rigrupuar, pa u goditur me armë perëndimore.
Leja e dhënë nga SHBA ishte e guximshme, por tentative dhe shumë e kushtëzuar. Ukraina mund të godasë vetëm objektivat rreth Kharkivit dhe SHBA-të janë të vendosura në mos lejimin e Ukrainës të përdorë municionin më të frikshëm që i është dhënë për të gjuajtur në Rusi: raketat me rreze të gjatë veprimi të njohur si ATACMS që mund të godasin objektivat 300 kilometra larg.
Në vend të kësaj, Ukraina mund të përdorë vetëm raketa me rreze më të shkurtër veprimi të njohur si GMLRS, të cilat kanë një rreze prej rreth 70 kilometrash.
Ndërsa heqja e kësaj tabu duket se shënon një kapitull të ri në luftë, Rusia tashmë ka përjetuar sulme ukrainase me armë perëndimore në territorin për të cilin ajo pretendon.
Ukraina ka shënjestruar shpesh Krimenë e pushtuar, të cilën Rusia e aneksoi në vitin 2014, duke përdorur raketat “Storm Shadow” të ofruara nga Mbretëria e Bashkuar. /Gazeta Enigma