Janë varrosur nënë e bijë që humbën jetën si pasojë e një aksidenti që ndodhi të hënën në rrugën Dragash-Zhur.
Në ceremoni morën pjesë shumë qytetarë, e në mesin e tyre edhe familjarë të personit që dyshohet se e shkaktoi aksidentin tragjik.
Gjatë ceremonisë, familja e viktimave e fali gjakun e dy prej më të dashurave të tyre, dhe këtë e bënë në prani të pjesëmarrësve në varrim.
Kjo u konfirmua nga nënkryetari i Komunës së Dragashit, Resul Fetahu.
Mbrëmë kryetari i komunës, Behxhet Xheladini, e ka vizituar në spital Vloran Krasniqin, i cili është bashkëshort, respektivisht baba i viktimave.
Sipas Xheladinit, ai është jashtë rrezikut për jetën.
Shoferi ndërkaq është ndaluar për 48 orë pasi ka marrë ndihmën mjekësore.