Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, e ka quajtur të papranueshme bisedën e deputetes së VV-së, Mimoza Kusari, me kriminelin serb, Millan Radojçiq.
Në emisionin “Five”, në TV Dukagjini, Dreshaj ka thënë se çdo komunikim i Qeverisë me një person të shpallur të padëshiruar nga SHBA-të, është shkelje ligjore.
“Çdo komunikim me një njeri që ka influencë në kohën kur nuk është i përndjekur ndërkombëtarisht e ka kuptimin e vet.. çdo komunikim me të pasi SHBA-të e kanë shpallur person të padëshiruar nga ana e Qeverisë sonë është një guxim, shkelje ligjore dhe personat që e kanë bërë një dukuri të tillë duhet të mbajnë një përgjegjësi publike dhe politike. Nëse është montazh duhet dikush tjetër të japë përgjegjësi por nëse është faktike, nëse dëshmohet që është e vërtetë, në kohën aktuale… atëherë mendoj që vërtetë duhet të kërkohet një përgjegjësi legale nga ana e Mimoza Kusarit. Përderisa Lista Serbe nuk është në kuvend dhe nuk merr pjesë në votim, çdo komunikim me të është i paarsyeshëm. Ndikimi i tij u pa në veri kur as në referendum, as në votim të kryetarëve, as në pjesëmarrje në Kuvend ne nuk e kemi pjesë Listën Serbe… Sot Radojçiq është person pa influencë dhe çuditërisht i kontaktuar, por unë rezervoj të drejtën e prononcimit për shkak se nuk e di kohën kur është bërë ky incizim”, ka thënë ai.
Dreshaj ka theksuar se AAK e ka shprehur qartazi qëndrimin lidhur me nevojën që vendi të shkojë sa më shpejt në zgjedhje dhe të zgjidhet një kryesi e re.
“Arsyeja sepse qeverisja aktuale ka bërë dëm vendor dhe ndërkombëtar. Rruga si duhet të shkojë në zgjedhje ka qenë e ndryshme në raport me partitë e tjera. Ne si AAK kemi menduar që kjo qeverisje për të bërat e këqija me miqtë tanë ndërkombëtarë duhet të japë llogari. Kjo qeveri është emëruar nga ana e Kuvendit dhe kjo qeverisje është dashur t’ia kthejë mandatin Kuvendit për keqqeverisje ose mosqeverisje. Aktualisht nuk kemi krizë parlamentare, kemi krizë qeveritare”, shtoi ai.