Këtë javë, republikani Donald Trump i rikthehet fushatës elektorale, duke u bërë amerikani i parë i gjetur fajtor që kandidon për Shtëpinë e Bardhë nën siglën e një partie kryesore. Në materialin në vazhdim do të shihni reagimin e votuesve amerikanë lidhur me vendimin e jurisë së Nju Jorkut dhe perspektivën e kandidatëve për Shtëpinë e Bardhë.
Të mbledhur jashtë Kullës Trump, mbështetësit e Donald Trump-it vazhduan të brohorasin për kandidatin e tyre, një ditë pasi ish presidenti u shpall fajtor për 34 akuza për falsifikimin e të dhënave të biznesit, në një skemë për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2016.
Në lagjen Chelsea të qytetit, votuesi Nicholas Warner thotë se vendimi ishte tronditës dhe se vendi ka nevojë për një mandat të dytë të zotit Trump.
“Gjatë katër viteve kur ai drejtoi vendin, gjërat ishin ndryshe, nuk kishim luftëra, as probleme me ekonominë dhe inflacionin. Do të doja që ai të kthehej dhe të drejtonte vendin si një biznesmen”.
Në shtetin Merilend, votuesi Arkady Lapidus thotë se pretendimi i zotit Trump se gjyqi ndaj tij ishte i manipuluar nuk është gjë e mirë për Partinë Republikane apo për vendin.
“Nuk do ta mbështes këtë parti derisa të heqë dorë nga Donald Trump-i dhe të thotë se beson tek zgjedhjet, beson tek gjykatat dhe vendimet e jurisë, sepse ne jemi amerikanë. Derisa të mbështesë plotësisht vlerat amerikane, siç i shoh unë, nuk do të votoj më për republikanët”.
Votuesja Margaret Barnes thotë se edhe pse i gjetur fajtor për krime, zoti Trump është më i besueshëm se Joe Biden.
“Biden-i më duket i rremë, me një sentiment të rremë, që tregon histori sikur të ishte një plak i mirë. Ai është tejet artificial dhe nuk i besoj. Ai është i pasinqertë. Nga ana tjetër, Trump-i është bombastik. Por edhe pse ajo që thotë ai mund të jetë fyese, unë i besoj Trump-it më shumë”.
Në Kolorado, votuesja Luda Golodnykh thotë se vendimi ndaj Trump-it është i merituar dhe shpreson që kjo do ta dëmtojë fushatën e tij.
“Mënyra si ai flet për gratë, si i trajton vendet e tjera, si flet për emigrantët e paligjshëm, duke qenë vetë i martuar me një emigrante. Ai mori atë që meritonte”.