Presidenti amerikan, Joe Biden tha se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu mund të jetë duke ngecur në përfundimin e luftës në Gaza për arsye politike, sipas një interviste me revistën Time të publikuar të martën.
Komentet në intervistën e 28 majit u bënë disa ditë përpara se Bideni të detajonte një propozim për një armëpushim në Gaza, dhe ndërsa kryeministri izraelit lufton me ndarje të thella politike në vend.
I pyetur nëse mendonte se Netanyahu po e zgjaste luftën për arsyet e tij politike, Biden tha: “Ka çdo arsye që njerëzit të nxjerrin atë përfundim”.
Biden, i cili ka bërë presion për t’i dhënë fund luftës gati tetë-mujore, tha gjithashtu se ishte “e pasigurt” nëse forcat izraelite kanë kryer krime lufte në Gaza.
Ai hodhi poshtë akuzat se Izraeli po përdor urinë e civilëve si një metodë lufte, por tha: “Unë mendoj se ata janë përfshirë në aktivitete që janë të papërshtatshme”.
Biden tha se e paralajmëroi Izraelin të mos bënte të njëjtin gabim që bëri ShBA pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 që çuan në “luftëra të pafundme”.
“Dhe ata po e bëjnë atë gabim”, tha ai.
Zëdhënësi i qeverisë izraelite, David Mencer, i pyetur për intervistën, tha se ishte “jashtë normave diplomatike të çdo vendi që mendon drejt” që Biden të bënte komente të tilla për Netanyahun, shkruan Reuters.