Autoritetet serbe po vazhdojnë të arrestojnë shtetas të Kosovës, nën dyshimet për kryerje të krimeve të luftës në fund të viteve ’90.
Personi i fundit i arrestuar është Tefik Mustafa, i cili është ndaluar në pikën kufitare Merdare – mes Kosovës dhe Serbisë – më 1 qershor.
Në të njëjtën kohë, shtetasit tjetër të Kosovës, Sadik Durakut, i është vazhduar masa e paraburgimit edhe për 30 ditë. Ai është ndaluar në Serbi, më 17 prill të këtij viti.
Kosova akuzon Serbinë për arrestime arbitrare dhe kërkon reagimin e vendeve të QUINT-it dhe Bashkimit Evropian.
Institucionet serbe nuk janë prononcuar për media, dhe as Prokuroria për krime lufte e Serbisë, nuk i është përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë, nëse ekziston një listë e shtetasve të Kosovës – shqiptarë – të cilët dyshohen për krime lufte.
REL-i nuk ka marrë përgjigjje as në pyetjen nëse Serbia shkëmben kërkesat gjyqësore me Kosovën, në përputhje me Marrëveshjen për ndihmë të ndërsjellë juridike, përmes BE-së.
Në raportin vjetor për vitin 2023, Fondi për të Drejtën Humanitare i Kosovës e ka përmendur nevojën e madhe të bashkëpunimit ndërmjet prokurorive speciale të Kosovës dhe Serbisë.
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës i ka thënë Radios Evropa e Lirë se, Kosova, përmes Zyrës Ndërlidhëse në Serbi, ka kërkuar që të sqarohen arsyet e arrestimit të Tefik Mustafës.
Ministria, gjithashtu, i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndërmarrë hapa për lirimin e menjëhershëm të tij.
“Njëkohësisht të kërkohet përgjegjësi nga shteti serb për këto veprime arbitrare dhe destruktive, dhe që bien ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”.
As Ministria e Drejtësisë, dhe as Ministria e Punëve të Jashtme në Beograd, nuk iu përgjigjën kërkesës së REL-it për koment mbi këto pretendime nga autoritetet kosovare.
Më herët, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë pati thënë se Mustafa, si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është përmendur në deklaratat e dëshmitarëve si pjesëmarrës në kidnapimin e tre policëve serbë në Kosovë.
“Pas këtij akti, policëve u është humbur çdo gjurmë”, thuhej në atë deklaratë./REL