Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se këngëtarja Shkurte Fejza për gjysmë shekulli karrierë ka kënduar me dashuri të pakushtëzuar dhe zë të pa kompromis për Kosovën, raporton Gazeta “Enigma”.
Kurti këtë reagim e ka bërë me rastin e 50-vjetorit të karrierës së Shkurte Fejzës.
Ai përmes një postimi në prilin e saj në Facebook ka deklaruar se me ju, mbarë Kosova e mori harkun e përbashkimit me notat e muzikës.
“Gjysmë shekulli karrierë me dashuri të pakushtëzuar dhe zë të pa kompromis për Kosovën. Çfarë kënaqësie dhe nderi të jemi pjesë e shënimit të 50 vjetorit të karrierës së Shkurte Fejzës! Faleminderit nga zemra për këngët që na kanë bashkuar duke na frymëzuar në çdo kohë dhe na kanë mbushur me shpresë duke na dhënë forcë në momentet më të vështira”, ka shkruar Kurti.
Tutje ai ka htuar se “me ju, mbarë Kosova e mori harkun e përbashkimit me notat e muzikës. Në ditët e errëta dhe të vështira ju na keni trimëruar dhe ngushëlluar, duke bërë që kurrë mos të harrojmë dashninë për Kosovën”.
“Koncerti nën përkujdesjen e çmueshme të A.K.K.V. “Shota” ishte një sukses i jashtëzakonshëm me artistë të shumtë që nderuan bashkëpunimet e saj ndër vite nën dirigjimin e Valton Beqirit me orkestrën përplot me të rinj e të reja profesionistë që performuan me mjeshtëri. Edhe mbrëmë si ngahera me këngët tuaja ishim me qarkun e dashurisë së përbashkët për tokën tonë, qarkun e dashurisë sonë të përjetshme për jetën e lirë, të dashurisë së pavdekshme për Kosovën dhe kombin”, deklaroi Kurti..
“Gëzuar Zonja jonë Fejza, e dashura Shkurte, për 50 vite të arta! Ju uroj edhe shumë e shumë vite të tjera me shëndet dhe suksese. Rritja e ngritja e Kosovës dhe jehona e këngëve tuaja ecin bashkë”, thuhet në reagimin e tij. /Gazeta Enigma/