Kur kanë mbetur edhe pak orë nga falja e namazit të Kurban Bajramit, qytetarët sot u panë duke blerë kurbana e produkte ushqimore. Por, disa prej tyre janë ankuar për shtrenjtim të çmimit të kurbanëve, që thonë se nuk po mund t’i përballojnë, raporton Enigma.
Nuk është treg që ka leje nga shteti.
Megjithatë, këtu në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë, një natë para festes së Kurban Bajramit po shiten kurban.
E, qytetarët janë goxha të interesuar, ani pse çmimet po i pengojnë në blerjen tyre.
Një rast të tillë e pati edhe ky qytetar, veç që përsëri fati nuk ishte me të.
“Jo valla nuk i kam renet, me një penzi ku me, marak kom boll po kur s’ka”, ka thënë qytetari Isa Syla.
“Pulat shumë shtrenjtë, pulat janë ka 6-7 euro, tash 10, edhe kjo me cofi, pasha zoti veç sa e mora, e shtina kerr kur shkova te shtëpia ishte cofë”, është shprehur ai.
Se janë rritur çmimet e kurbanit këtë vit, e pranojnë edhe ata që po i shesin.
“Sivjet janë rritë më shumë, 200, 230, 250, 150 më i ligu, tash vera vjen për këndej edhe e kurbani duhet me kanë dy vjet, se nuk bënë me kanë kurban”, ka thënë shitës i kurbanëve, Hajrullah Hasani.
Ndërkohë, qytetarët kishin mbushur edhe marketet.
Edhe atje blihej ushqim me sasi të mëdha.
Qytetarët thonë se nuk kursejnë shumë për këtë festë.
“Po kqyrim tash, qeshtu ëmbëlsira e te ngjashme, blejmë diçka deri ne 100 euro”, ka thënë një qytetar.
“Çmimet janë të larta, unë po i krahasoj se jetoj në Gjermani, diku deri ne 2000-3000 euro i shpenzojmë vetëm për Bajram”, është shprehur qytetari Brahim Bekteshi.
Kur kanë mbetur më pas se 24 orë që nga falja e namazit të Kurban Bajramit, hoxha Labinot Maliqi tregon se kur do të bëhet falja e tij.
“Namazi i Kurban Bajramit falet ne orën 05:43, në të gjitha xhamitë në Republikën e Kosovës”, ka deklaruar hoxha Labinot Maliqi.
Maliqi ka edhe një këshillë për besimtarët që kanë blerë kurban.
“Ata që kanë bërë njetë therjen e kurbanit, të mos e bëjnë para faljes së namazit të Bajramit, pasi konsiderohet si therje e një kafshe të zakonshme”, është shprehur Maliqi.
Falja e Kurban Bajramit do të falet edhe në “Xhamin e Madhe” në Prishtinë, ku pritet të ketë edhe numër më madh të besimtarëve.