Temperatura të larta do të ketë të martën në Kosovë.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës temperaturat maksimale do të jenë nga 28-32 gradë Celsius.
“Moti me diell dhe pjesërisht i vranët. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 10-15 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 28-32 gradë Celsius, Do të fryjë erë nga drejtimi jugperëndimit me shpejtësi 1-4m/s”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.
Të hënën Instituti i Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë thirrje për kujdes gjatë ditës si dhe ka publikuar disa rekomandime për kujdes nga temperaturat e larta.
“Temperaturat e larta që mbretërojnë në sezonin e verës ndikojnë negativisht në organizmin e njeriut sidomos te të moshuarit. Duke u ekspozuar në diell për një kohë të gjatë mund të pësojmë goditje nga të nxehtit që çon në dehidrim të organizmit përcjellë me ngërçe, vjellje, çrregullime diarreike, skuqje dhe djegie të lëkurës duke komplikuar sistemin kardiovaskular deri në insufiçiencë renale”, thuhet nga IKSHPK.
Sipas IKSHPK-së e domosdoshme është marrja e 2 litrave lëngje gjatë ditës, qoftë si 8 gota ujë ose në formë supe ose çaji; po ashtu duhet anashkaluar ushqimin e fërguar, shumë të njelmët ose të ëmbël ose me mëlmesa të shumta, ndërsa duhet marrë shumë pemë dhe perime sezonale. / Gazeta Enigma.