Gjatë takimit të sotëm të Komitetit për Politikë dhe Siguri, do të bisedohet edhe për raportin e përfaqësuesit të lartë, Josep Borell, lidhur me masat e BE-së ndaj Kosovës.
Masa këto të vendosura si pasojë e tensionimit të situatës në veri të vendit, një vit më parë.
Të paktën kështu është shprehur dje emisari i BE-së, për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
“Për aq sa di unë, ky raport do të diskutohet nesër në Komitetin për Politikë dhe Siguri dhe kjo varet nga rezultati i diskutimit”, është shprehur Lajçak.
Sipas Lajçak këto masa të vendosura duhet të hiqen.
“E kam bërë të qartë qëndrimin tim për sa i përket masave, që në shtator, kur kam rekomanduar që këto të hiqen. Por siç e thashë, nuk jam pjesë e këtij procesi, ky është vendim i shteteve anëtare. Qëndrimi im personal është që ato duhet të hiqen”, tha ai.
Lajçak ka qëndruar dje për vizitë në Prishtinë, ku u takua me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, me të cilin diskutuan së bashku rifokusimin në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. /Gazeta Enigma