Ndërtimi i palestrës sportive në fshatin Zhegër të Komunës së Gjilanit ka nisur që nga korriku i vitit 2017, por të njëjtës ende nuk po i shihet fundi. Pas rreth 7 viteve, Zhegra po vazhdon të mbetet pa palestrën sportive për shkak të zvarritjeve në këtë projekt. Në këtë objekt janë përfunduar vetëm punimet e vrazhda ndërsa së fundmi ka filluar edhe vendosja e kapriatave të hekurit në palestrën e fshatit Zhegër.
Shkruajnë: Blerta Agushi & Valmira Halimi
Nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kanë thënë se arsye e periudhës kaq të gjatë deri në përfundim të këtij projekti është “periudha e pandemisë dhe inflacioni”.
Objekti i nisur në vitin 2017 nga një kompani, pritet të finalizohet në fund të vitit 2024 nga një kompani tjetër. Kontrata e parë e nënshkruar në vitin 2017 është ndërprerë, ndërsa kontrata e re në vlerë 1.2 milion euro, e nënshkruar me konsorciumin e kompanive “Global Holding” & “Alfa I” & “NIKA Proing” më 21.12.2021 nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, pritet të përfundojë pas 36 muajsh, apo në fund të vitit 2024.
Nga MKRS-ja kanë thënë se në rast se nuk përfundojnë punimet me kohë, kjo kompani mund të penalizohet me shkëputje të kontratës.
“Shkon tek shkëputja e kontratës dhe kompania kontraktuese penalizohet për vonesa dhe lajthitje të institucionit” – theksohet në përgjigjen e MKRS-së.
Derisa palestra sportive ende nuk është përfunduar, të rinjtë e sportistët e Zhegrës, të njërit prej fshatrave më të mëdha të Komunës së Gjilanit, vazhdojnë t’i zhvillojnë aktivitetet e tyre sportive në ambiente të tjera jashtë Zhegrës.
Kryetari i fshatit Zhegër, Qahil Halili, pretendon se shkaku i mosndërtimit të kësaj palestre është shuar dhe klubi i hendbollit “Zhegra”, i cila ka qenë edhe në Superligë të Kosovës.
“Neve si Zhegër na ka kushtuar me shuarjen e klubit të hendbollit që e kemi pasur jetik. Jemi detyruar ta shuajmë këtë klub për shkak të mungesës së palestrës. Nëse bëhet palestra rikthehet klubi. Zhegra është djep i kulturës dhe sportit” – tha Halili.
Si një ndër arsyet që kanë ndikuar në shuarjen e klubit të hendbollit në Zhegër e ka cilësuar edhe Driton Haziri, ish anëtar i këtij klubi.
“Ka shumë faktorë të cilët kanë ndikuar në shuarjen e klubit. Pika kryesore është mosndërtimi i palestrës sportive, për arsyen financiare, sepse ushtrimet i kemi zhvilluar në palestrën në Gjilan. Gjithashtu vlen të ceket se po të kishte qenë palestra në Zhegër, do të ishte ndryshe gjithçka, jam i bindur se ne ende do të ishim në gara në Superligën e Kosovës” – ka potencuar Haziri.
“Në pamundësi të fondeve dhe transportit, t’i bartim të gjithë lojtarët në ushtrimet, lojtarët kanë qenë të obliguar t’i ndërpresin ushtrimet dhe të tërhiqen përfundimisht nga sporti.”
Banori i fshatit Zhegër dhe ish-hendbollisti, Lorik Idrizi, ka thënë se mospërfundimi i palestrës sportive i ka kufizuar aktivitet sportive.
“Mosndërtimi i palestrës në Zhegër e ka lënë shumë prapa për sa i përket çdo sporti për shkak se rrugëtimi, stërvitja çdo ditë në palestrën e Gjilanit është mjaft e kushtueshme edhe finaciarisht, mirëpo, edhe nuk mund të jenë të motivuar sportistët, duke pas kaq shumë mundim për stërvitje në palestrën e Gjilanit” – ka thënë Idrizi.
Historiku i projektit maratonik që përfundoi në gjykatë
Kontrata e parë për ndërtimin e palestrës sportive në Zhegër ishte nënshkruar më 12.07.2017. Kontrata në vlerë 1,108,857 euro ishte nënshkruar me kompaninë “Vision Project”. Tenderi i përgjegjshëm me çmimin më të ulët ka qenë 978 mijë e 777 euro. Kanë qenë dy tendera të përgjegjshëm mirëpo ka fituar oferta që ka kushtuar 130 mijë euro më shumë. Sipas kontratës, ndërtimi i palestrës sportive është dashur të përfundojë në fund të vitit 2019, por kjo nuk ka ndodhur.
Ende pa përfunduar afati i përmbylljes së kontratës, është nënshkruar një aneks-kontratë në vlerë afër 100 mijë euro. Aneks-kontrata është nënshkruar me konsorciumin “Vision Project & Dino” më 20.12.2018. Kërkesa për punë shtesë është bërë me “qëllim të përfundimit me sukses të projektit” derisa thuhet se afati i përfundimit të punimeve është 25 ditë nga nënshkrimi i aneks-kontratës.
“Nuk kanë qenë të përgjegjshëm”, thuhet shkurt në përgjigjen e MKRS-së.
Në lidhje me këtë projekt, më 23.03.2022, pronarit të kompanisë “Vision Project” i është ngritur aktakuzë për “mashtrim”, nën dyshimin se i ka shkaktuar dëm Komunës së Gjilanit në vlerë 81, 265 euro.
“Nga data 03.09.2018 e deri më datë 03.12.2020, në fshatin Zhegër, Komuna Gjilan, të pandehurit me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve e kanë mashtruar Komunën e Gjilanit, në atë mënyrë që me të fituar tenderin Kompania “Vizion Project”, me pronar Shpend Musa, i njëjti me datë 12.07.2017, nënshkruan kontratën me Komunën e Gjilanit në vlerë prej 1,108,857.74 euro, me të filluar punën, për të mbajtur librat ndërtimor në të cilin evidentohen pozicionet dhe sasia e punëve të kryera, angazhon të pandehurin Ardian Gurin, të cilët në librin ndërtimor lidhur me gërmimin e dheut kanë evidentuar se janë gërmuar 23.767.23 m/3, ndërsa në fakt kanë qenë të gërmuara vetëm 6461.66 m/3, çka do të thotë se kanë evidentuar gërmime më tepër në sasi prej 17.305.57m/3” – thuhet në përgjigjen e Gjykatës së Gjilanit.
Gjykimi në këtë rast ka nisur në tetor të vitit 2022 në Gjykatën e Gjilanit dhe të akuzuarit nuk e kanë pranuar pafajësinë. Sipas Elvira Hazirit, avokates së të akuzuarit Shpend Mus, ai pritet të deklarohet në lidhje me këtë çështje në seancën e radhës e cila është caktuar të mbahet më 29.07.2024.
Më tej thuhet se edhe për shtyllat e betonit në librin ndërtimor janë evidentuar 172.36 m3, ndërsa sipas matjeve në teren sasitë reale të realizuara për shtyllat e betonit janë 90.87 m3.
“Do të thotë ka mos përputhje të sasive të cilat janë paraqitur në situacionet e punëve të kryera, përkatësisht ndryshimi mes sasive të paraqitur në raport me gjendjen reale në teren është 81.49m3, përkatësisht 5133.87 euro” – vazhdon përgjigja e Gjykatës më 06.06.2024.
Për të mësuar arsyet e mospërfundimit të projektit janë dërguar pyetje në adresë të Shpend Musës, pronarit të kompanisë “Vision Project”, po ashtu ka tentuar të marrë përgjigje edhe përmes telefonit, por deri në publikimin e këtij artikulli i njëjti nuk është përgjigjur.
Gurëthemeli i palestrës sportive në Zhegër është vënë më 26.07.2017, nga atëherë kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i shoqëruar nga atëherë drejtori për Sport në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ibër Alaj dhe Muharrem Sahiti.
“Në përvjetorin e madh të lindjes dhe vdekjes së Idriz Seferit, ne sot po fillojmë punimet e palestrës së sporteve. Uroj që ky projekt të ketë dinamikë të plotë në realizim. Vlera e projektit është 1 milion e 100 mijë euro, që është financim i Qeverisë dhe Komunës së Gjilanit”, kishte thënë Haziri në korrik të vitit 2017.
Fotografitë janë realizuar më: 20.05.2024
Ky artikull është përgatitur përmes mbështetjes nga Aktiviteti i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për Integritetin e Komunave të Kosovës. Pikëpamjet e paraqitura në këtë artikull nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e USAID-it, Qeverisë së Shteteve të Bashkuara apo BIRN.