Gjykata Themelore në Prishtinë ka anuluar vendimin e Komunës së Prishtinës lidhur me lejen mjedisore për realizimin e Projektit “Parku i Aventurave” në Peizazhin e Mbrojtur të Parkut Gërmia, duke aprovuar ankesën e Qendrës për Raste Gjyqësore Strategjike (GLPS), njofton Gazeta Enigma.
“Gjykata e shkallës së parë me aktgjykimin e datës 16 prill 2024, pasi ka administruar të gjitha provat e bashkëngjitura nga Paditësit, ka ardhur në përfundim se ka bazë të mjaftueshme për të konstatuar kundërligjshmëritë që e kanë karakterizuar nxjerrjen e vendimit të Komunës së Prishtinës, datë 26 gusht 2020, për lejen mjedisore të projektit ‘Parku i Aventurave’”, thuhet në njoftimin e GLPS-së.
Gjykata i ka dhënë besim të plotë provave të paditësve më të cilat është konstatuar se Komuna e Prishtinës gabimisht ka aplikuar bazën ligjore për lëshimin e lejes mjedisore, përkatësisht ka aplikuar Udhëzimin Administrativ për dhënien e Lejes Mjedisore Komunale, i cili përcakton se kufizimet e komunës për vendimmarrje për një kategori të projekteve me kapacitete më të mëdha sesa ato që listohen në këtë Udhëzim, ku bën pjesë edhe projekti “Parku i Aventurave” rregullohen me Ligjin për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis.
Sipas GLPS-së, Gjykata i ka vlerësuar të drejta argumentet se Komuna e Prishtinës gjatë vlerësimit dhe miratimit të Projektit “Parku i Aventurave” ka shkelur garancitë kushtetuese të qytetarëve duke ia mohuar të drejtën e pjesëmarrjes në vendimet që kanë të bëjnë me mjedisin jetësor ku ata jetojnë.
Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL) e vlerësoi “sukses tejet të rëndësishëm” vendimin e Gjykatës Supreme mbi pezullimin e lejes mjedisore të projektit “Parku i Aventurave” dhe vendimin e fundit të Gjykatës Themelore për anulimin e vendimit për realizimin e këtij projekti.
“Vendimet e tilla konfirmojnë kundërligjshmërinë e ndjekur nga organet publike, mohimin e të drejtës kushtetuese të qytetarëve për pjesëmarrje në vendimmarrjen mjedisore dhe rrezikun për degradimin e natyrës nga projektet të tilla si “Parku i Aventurave”, thuhet në komunikatë. /Gazeta Enigma