Armenia zyrtarisht ka njohur shtetin palestinez, bëri të ditur Ministria e Jashtme e këtij shteti përmes një deklarate për media më 21 qershor.
Armenia bëhet shteti i fundit që njeh shtetin palestinez, pavarësisht kundërshtimeve nga Izraeli.
Jerevani mbështet rezolutën e Kombeve të Bashkuara për një armëpushim të menjëhershëm në luftën mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Gazë dhe mbështet zgjidhjen me dy shtete në konfliktin izraelito-palestinez, u tha në deklaratë.
Armenia shtoi se “jemi sinqerisht të interesuar që të vendoset paqja afatgjatë dhe stabiliteti në Lindjen e Mesme”.
Jerevani, që vetë ka qenë i përfshirë në konflikt ne Azerbajxhanin fqinj për dekada të tëra, ka dënuar ofensivën ushtarake të Izraelit në Gazë.
“Armenia shpreh keqardhje për përdorimin e infrastrukturës civile si mburojë gjatë konflikteve të armatosura dhe dhunës karshi popullatës civile”, tha Ministria e Jashme.
Në deklaratë po ashtu u tha se Jerevani shpreh keqardhje për marrjen e pengjeve civile nga Hamasi dhe “i bashkohemi kërkesave të komunitetit ndërkombëtar për t’i liruar ata.
Autoriteti Palestinez, që ushtron vetëqeverisje të kufizuar në Bregun Perëndimor – që gjendet nën pushtimin izraelit – mirëpriti vendimin e Armenisë.
“Kjo njohje kontribuon pozitivisht në ruajtjen e zgjidhjes me dy shtete e cila përballet me sfida sistematike, dhe promovon sigurinë, paqen dhe stabilitetin për të gjitha palët e përfshira”, u tha në deklaratën e presidencës së Autoritetit Palestinez.
Ky vendim i Jerevanit nxiti zemërim në Izrael, shtet që ftoi në bisedë ambasadorin armen.
“Pas njohjes nga Armenia të shtetit palestinez, Ministria e Jashtme ftoi ambasadorin armen në Izrael në takim për qortim të ashpër”, u tha në një deklaratë për media.
Spanja, Irlanda dhe Norvegjia janë në mesin e shteteve perëndimore që zyrtarisht e kanë njohur shtetin palestinez muajin e kaluar, duke nxitur Izraelin që të tërheqë ambasadorët e tij nga Madridi, Dublini dhe Oslo.
Njoftimi për njohjen e shtetit palestinez vjen në kohën kur lufta në Gazë po vazhdon. Lufta nisi pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit më 7 tetor, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë.
Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 37.000 persona dhe pothuajse e gjithë popullsia, prej 2.3 milionë banorësh e kësaj enklave, është zhvendosur. /REL