Në kuadër të testimit të gatishmërisë operacionale, me urdhër të Komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës është zhvilluar ushtrimi fushor “Sinjali 2024” i cili kishte për qëllim testimin e komunikimit në FSK, në tri nivelet, Strategjik, Operacional dhe Taktik.
Ushtrimi është zhvilluar në territorit Republikës së Kosovës, ku njësitë e komunikimit të FSK-së, të udhëhequra nga Departamenti i Komunikimit dhe Teknologjisë Informative i Shtabit të Përgjithshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës, janë dislokuar në terren, në lokacione të ndryshme dhe kanë testuar kapacitet e komunikimit duke ofruar shërbime me radio rrjetin luftarak, radio rrjetin administrativ mbështetës, intranet, internet dhe ndërveprueshmëri të sistemeve dhe rrjeteve të komunikimit.
Shefi i Stafit të Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneralbrigade Ilir Qeriqi me bashkëpunëtor vizituan Qendrën e Komunikimit të dislokuar në terren, prej nga u njoftuan nga afër me ecurinë dhe rrjedhjen e ushtrimit “Sinjali 2024”. Shefi i G6 në Shtabin e Përgjithshëm, kolonel Fidaim Elshani i prezantoi Gjeneral Qeriqit kapacitetin dhe gatishmërinë e komunikimit, duke demonstruar direkt mbështetjen me komunikimin në disa zona të operacionit në të njëjtën kohë, me qëllim për të ofruar komandim-kontroll për trupat e angazhuar në operacione.
Ushtrimi është përmbyllur me analizën pas aksionit, kthimin e forcave në vendbazime.